“Revolucioni s’do vijë me sfurk, por me votë”, Shehi thirrje qytetarëve: Mbyllni për një orë dyqanet

Nga A2 CNN
24 Qershor 2026, 14:16 | Politikë

Kreu i LZHK, Dashamir Shehi, ka komentuar protestat qytetare që sot hyjnë në ditën e 25-të të tyre, duke theksuar se ndryshimi politik do të vijë përmes votës dhe pjesëmarrjes qytetare, jo përmes dhunës.

I ftuar në emisionin “Puls” nga Bruna Çifligu në A2 CNN, Shehi tha se shembulli i vendeve europiane, si Hungaria, tregon se regjimet mund të ndryshohen në mënyrë demokratike, pa pasur nevojë për revolucione të dhunshme.

Revolucion s’ka këtu as me bajonetë, as sfurk, me votë do bëhet revolucioni, siç u bë në Hungari që hoqën një autokrat që kishte 16 vjet. Populli e hoqi me votë. S’pati nevojë atje për revolucione. Ky është revolucioni për mua dhe duhet ta bëjmë këtë punë”, u shpreh Shehi.

Shehi ftoi qytetarët e Tiranës që të mbyllin për një orë dyqanet e tyre, të mos tremben, pasi kështu do të realizojnë një gjë të madhe në rrugën që kanë nisur. 

Do t’i ftoja qytetarët e Tiranës, mbylleni një orë dyqanin se s’u bë qameti, se s’qenkan shitur 5 birra dhe dy këpucë, keni zgjedhur një rrugë që të bëjmë një gjë të madhe, të ndryshojmë vërtetë diçka, mos zvarritemi 30 e ca vjet. Nuk i prish asnjë punë. Nuk kanë pse tremben më. S’ka nevojë as të rrijnë te uji, as te molotovi, mjafton merr gruan për krahu dhe dil atje poshtë shtëpisë. Kaq është. Për të treguar që ne s’jemi më me ju. Ata s’po na qeverisin, po na sundojnë”, deklaroi kreu i LZHK-së. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos