Analisti Albatros Rexhaj, i ftuar në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN, u shpreh se liderët e partive politike jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Ballkan, kanë fuqi absolute mbi subjektet e veta.
“Mungesa e demokracisë së brendshme në partitë politike është sindromë kronike në politikën ballkanike. Kjo zgjidhet nëse lejohen fraksione të ndryshme brenda partisë. Partitë në Ballkan nuk janë të gatshme për fraksione dhe prandaj ka njerëz që ndahen nga kopeja, por janë pak të suksesshëm. Disidentë ka, por para shefit e mbyllin gojën të gjithë. Ato janë ngacmime që tregojnë dominimin absolut, bindjen e liderit se këtu nuk ka guxim për organizim fraksionesh. Ndarja nga kopeja nuk funksionon në shoqërinë tonë sepse ende votohet për parti, për lider”, tha Rexhaj.
Sipas tij, “liderët shqiptarë e mbajnë me suspancë kë do të emërojnë”.
“Kjo tregon gjithçka, është demonstrim i fuqisë absolute që lideri ka mbi subjektin e vet. Nëse ia prish qejfin Berishës, për shembull, nuk të fut në listë. E njëjta gjë vlen edhe për Edi Ramën”, theksoi Rexhaj.
(A2 Televizion)