Rikthen “Memorandumin e Kuçit”, Rama jep parashikimin: 77 mandate, ndoshta edhe më shumë

Nga Fjorela Beleshi
10 Prill 2025, 14:53 | Politikë

Një ditë para se të hapet zyrtarisht fushata elektorale, Edi Rama nuk hezitoi të bëjë parashikime të rezultatit final. Numrin e deputetëve që mendon se do të ketë në Parlamentin e ardhshëm do ta hedhë e zeza mbi të bardhë përsëri nga lartësitë e Vlorës, ku katër vite më parë firmosi atë që u quajt Memorandumi i Kuçit.

Në 2021 mori 4 deputetë më pak se 78 mandatet e parashikuara, ndaj këtë herë preferon të qëndrojë me këmbë në tokë.

“Do fitosh 77deputetë. Nuk e dimë atë mund të jenë edhe më shumë, kijeni parasysh. Nuk e di për atë, do ta shkruaj në kuç atje te ai lokali ku herën e kaluar kam lënë rezultatin, do shkoj prapë e do shkruaj rezultatin e 11 majit.”

Edi Rama ka thirrur të shtunën socialistët në sheshin “Skëndërbej” në Tiranë për të bërë hapjen e fushatës, ndërsa të premten do të ketë takime në qarqe me gratë dhe vajzat socialiste.

“Nesër do ta nisim fushatën zyrtare me një cikël takimesh që do të zhvillohen në të njëjtën kohë dhe natyrisht që në këtë cikël takimesh që do të zhvillohen në të njëjtën kohë, ne do të jemi së bashku me fuqinë tonë kryesore që janë gratë dhe vajzat. Ndërkohë pasnesër në mesditë në orën 12, nga të 12 qarqet tek të 12 yjet e Evropës në Sheshin “Skënderbej”, do të mblidhemi për një takim politiko-festiv.”

Pasi u dha shpresë socialistëve për fitore, paralajmëroi mbështetësit e opozitës se me 11 maj do të zhgënjehen nga rezultati.

“E sheh çfarë bëhet nëpër botë apo nuk e sheh? E ndjek ndonjë cik? Apo e ke mendjen te sherifi, “do të vijë sherifi”. Do të vijë sherifi do të shpëtojë ty! Keni të drejtën të ëndërroni, keni të drejtën të imagjinoni se në 11 maj do keni popullin me vete. 30 ditë do duroni dhe pastaj do ta shihni kujt do ti trokasë Noci te dera, kujtdo ti shfaqet. E dhimbshme do jetë!”

Me afrimin e datës së zgjedhjeve, Kryeministri Rama rikthen sërish në retorikën e tij politike non gratën e Sali Berishës nga SHBA.

“A ju ka hjek non grata”? Po, po ju ka hjek. Ju ka hjek, ëhë.”

Nuk le pa përmendur takimin e komuniteti politik europian që do të mbahet me 16 maj në Tiranë.

“Kemi aleancat më të forta që ka pas Shqipëria ndonjëherë. Qoftë me perëndim, qoftë me lindje, qoftë me Bashkimi Europian, qoftë me Turqinë, qoftë me Shtetet e Bashkuara, qoftë me Emiratet e Bashkuara. Është hera e parë që zbret një kryeministër britanik, hera e parë që zbriti një president i Francës për vizitë zyrtare bilaterale, do të vijë përsëri.”

Pavarësisht bindjes për fitore nga ana e Kryeministri Rama, A2 CNN mëson se PS ka urdhëruar socialsitët që gjatë fushatës elektorale të shmangin përballjet me kundërshtarët politik të PD në studiot televizive.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos