Debati i djeshëm në Parlamentin Europian, ku eurodeputetët shprehën shqetësimet e tyre për korrupsionin dhe krimin e organizuar që shpesh herë ka ndikuar tek zgjedhjet në Shqipëri, i ka dhënë zë opozitës në vend.
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha në një dalje për mediat tha se ditën e djeshme në PE u gris pasaporta evropiane e Edi Ramës, duke shigjetuar kështu premtimin mbi të cilin kryeministri ka ngritur fushatën elektorale të 11 majit, për anëtarësimin e Shqipërisë në BE më 2030.
“Dje në Parlamentin Europian u denoncua me të madhe frika e narkomazhorancës për komisionet hetimore parlamentare, një habi e madhe se si mundet të bllokohen komisionet hetimore parlamentare. Dje, pasaporta evropiane e Edi Ramës u gris. Mashtrimi i tij me pasaportën evropiane mori fund. Maskat ranë të dashur qytetarë, pavarësisht se Edi Rama me zyrat e tij e fshehu, nuk transmetoi seancën dëgjimore të zhvilluar në Parlamentin Europian, në komisionin ku ishte i pranishëm i gjithë spektri politik. Pra, në seancë dolën në shesh, në pah, doli e gjithë shëmtia e narkoshtetit shqiptar që nuk respekton asnjë ligj, asnjë vendim, asnjë nen të Kushtetutës së vendit”, tha Berisha.
Më tej lideri i selisë blu shprehur mirënjohje për ata që organizuan seancën e djeshme në Parlamentin Europian, duke e cilësuar atë një ngjarje madhore në mbështetje të demokracisë në Shqipëri dhe të votës së lirë të qytetarëve shqiptarë.
“Denoncim i hapur i dhunuesve të kësaj vote, të Edi Ramës dhe shpellave të tij të krimit që i josh në zgjedhje. Nuk mund të kem asgjë tjetër veçse mirënjohje të pakufishme. Dje ata kanë marrë një paralajmërim më të fuqishmin që kanë marrë ndonjëherë se ata po vëzhgohen, se ata po mbikëqyren, se ata do ndëshkohen. Shqipërisë iu kërkua që të mos kërcënojë opozitën, të respektojë rregullat”, nënvizoi Berisha. (A2 Televizion)