Gjatë një tryeze për forcimin e rolit të prokurorëve në luftën kundër krimeve zgjedhore, organizuar nga OSBE dhe Prokuroria e Përgjithshme, ambasadori i prezencës së OBSE, Michel Tarran theksoi se fenomene si shitblerja e votës apo keqpërdorimi i administratës e deri tek frikësimi i votuesve vijojnë të jenë element shqetësues të cilët institucionet përkatëse hetuese duhet ti kenë në vëmendje në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
“Raportet e ODHIR-it te zgjedhjet 2021, dhe 2023 tregojnë se në veçanti fenomene si shitblerja e votës, frikësimi i votuese apo keqpërdorimi i administratës vijojnë të jenë shumë shqetësuese. Vlerësoj bashkëpunimin e SPAK, KQZ dhe policisë e Prokurorisë së Përgjithshme janë gur themeli për të parandaluar krimin zgjedhor.”
Në krah të ambasadorit, ishte Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela sipas të cilit të gjitha institucionet përgjegjëse për hetimin e krimit zgjedhor kanë kapacitet e duhura dhe angazhimin maksimal ndërinstitucional për të arritur rezultate në parandalimin dhe marrjen e masave për krimet zgjedhore.
“Shkëmbimi i eksperiencave, diskutimi për prioritetet në hetimin e krimeve zgjedhore, por dhe njohja e prokurorëve dhe oficerëve të policisë gjyqësore me fenomenet për parregullsitë që vihen re gjatë procesit zgjedhor, vlerësimin e tyre në një pjesë të rasteve si shkelje të ligjit që përbën vepër penale, do të jetë risi jo vetëm në ndërgjegjësimin e prokurorëve dhe oficerëve të policisë për atë që ndodh gjatë procesit zgjedhor por do t’i bëjë ata edhe më të ndjeshëm për të kuptuar rëndësinë e rolit tonë gjatë këtij procesi, kemi bashkëpunim institucional me KQZ i kemi dhe në zyra nëpër prokuroritë e rretheve qe bashkëpunimi të jetë i shpejtë.”
Policia ka konstatuar në terren shkelje të ligjit nga partitë politike pohoi zëvendësdrejtori i përgjithshëm i policisë Sokol Bizhga, teksa theksoi se askush nuk do ti shpëtojë procedimit nga uniformat blu.
“Jemi duke ndjekur me vëmendje aktorët politik apo njerëz të tjerë duhet të jenë më të kujdesshëm në respektimin e ligjit pasi policia ka evidentuar disa raste jo të rënda në shkelje të ligjit por i kemi evidentuar. Ne nuk do hezitojmë të procedojmë gjithkënd, por edhe aktorët politik të jenë më të kujdesshëm me mbështetësit e tyre në terren. Kemi polici të certifikuar, kemi më shumë cilësi.”
Kreu i KQZ Ilirjan Celibashi u kujdes të theksonte se bashkëpunimi mes prokurorisë së përgjithshme, SPAK dhe KQZ nuk është fasade.
“E kuptoj që për dikë ka spektizicizëm. Dikush e ka cilësuar si shfaqje apo show te institucionet për pak opinion publik, por nuk është. Kështu ditët dhe javët në vijim do të shihni se sa serioz është ky bashkëpunim.”
Mes Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Prokurorisë së Përgjithshme dhe SPAK është nënshkruar edhe një protokoll i Koordinimit dhe Bashkëpunimit për hetimin e Krimeve Zgjedhore. (A2 Televizion)