“Rindërtimi përfundon brenda vitit”, Berisha në Durrës sulmon Dakon: Ndërtoi vilë 900 metra 

Nga Anesti Barjamemaj
1 Prill 2025, 18:11 | Politikë

Rindërtimi i banesave që u dëmtuan apo u shembën nga tërmeti shkatërrimtar i 26 Nëntorit 2019 do të përfundojnë brenda vitit, nëse demokratët vijnë në pushtet pas 11 Majit. 

Këtë premtoi Sali Berisha gjatë një vizite në qytetin e Durrësit ku u takua me banorë të prekur nga tërmeti i gati 6 viteve më parë dhe ende nuk kanë një banesë të re. 

“Më 11 maj u garantoj se kjo situatë merr fund menjëherë dhe shtëpia juaj dhe të gjitha shtëpitë që janë për meremetime do meremetohen me përparësi absolute. Do të ndërtohen aty ku janë për t’u ndërtuar të reja ku nuk mbajnë dhe duhet të prishen”.

Lideri demokrat hodhi akuza ndaj administratës lokale, pasi siç tha mendojnë vetëm për t’u pasuruar dhe nuk ndihmojnë qytetarët. 

“Qindra e qindra familjeve nuk ua ka dhënë bonusin e qirave. Prej një viti e gjysmë nuk u jep bonusin e qirave. Edhe rrogat nuk i japin në kohë më. Administrata vetë i vonon rrogat ndonjëherë edhe 10 ditë. Kjo sepse këta luajnë bixhoz me rrogat e qytetarëve”.

Vangjush Dako prej vitesh nuk drejton më Bashkinë Durrës, por sipas Berishës ndikimi i tij në zonës është ende i ndjeshëm. Teksa fliste me banorët e zonës së Kënetës, lideri demokrat akuzoi Dakon për ndërtim të një vile në pronat e ushtrisë. 

“Pardje po më thoshte një mik i imi se Gjushi ka ndërtuar vilë në truallin publik të konvaleshencës. 900 metër! Imagjinoni ju, Gjushi nga biruca, nga qelia, ndërton vilën 2-3 katëshe në territor të konvaleshencës së ushtrisë ku drejtor është një njeri i përlyer në të gjitha llojet e krimit.”

Më herët Berisha zhvilloi vizitoi një biznes fason nga ku premtoi se të gjithë eksportuesit do të kompensohen për çdo qindarkë të humbur nga kursi i këmbimit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos