Procesi i organizimit të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit është futur nën monitorim nga OSBE/ODIHR. Kreu i këtij misioni monitorimi në Tiranë, Ambasadori Lamberto Zanieri nisi detyrën e re duke u takuar me Komisionerin Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi i cili informoi diplomatin për masat e ndërmarra deri më tani.
“Gjatë takimit, prezantuam një tablo të plotë tëpërgatitjeve për zgjedhjet e 11 majit 2025, procesin e regjistrimit dhe ecurinë e procesit të votimit nga jashtë dhe adresuam të gjitha çështjet me interes. Diskutimi u fokusua edhe te masat për të garantuar integritetin e procesit dhe transparencën e administrimit zgjedhor.”
Organizimi i proceseve zgjedhore nuk kanë qenë histori rozë në politikën shqiptare, ku akuzat për krime elektorale nuk kanë munguar asnjëherë. Përballë një polarizimi të tillë politik, Celibashi informoi misionin e ODIHR mbi bashkëpunimin tre palësh KQZ-SPAK-Prokuroi e Përgjithshme.
“Informuam me hollësi mbi përpjekjet institucionale bashkë me SPAK dhe Prokurorinë e Përgjithshme për të luftuar krimet zgjedhore dhe shmangien e përdorimit të burimeve shtetërore në fushatë. KQZ mbetet e angazhuar për një proces zgjedhor transparent dhe të besueshëm!”
Kreu i misionit të ODIHR u takua gjithashtu edhe me hallkat e tjera të KQZ, si edhe me Ministrin e Jashtëm Igli Hasani. (A2 Televizion)