Pas prezantimit të programit nga selia e Partisë Demokratike dhe tryezave me ekspertë të fushave të ndryshme, Sali Berisha zgjodhi që këtë të martë t’ua shpjegojë nga afër bizneseve përfitimet që do të kenë nga plani i tij 4-vjeçar.
Gjatë një vizite në një biznes fason në Durrës, lideri demokrat premtoi se produktet “Made in Albania” do të jenë prioritet dhe për t’i mbështetur do t’u kompensojë paratë e humbura nga kursi i këmbimit.
“Qeveria do kompensojë çdo qindarkë të kursit të euros për të gjithë eksportuesit, gjë e cila i bën ata të punojnë në kushte më të qeta, më të sigurta. Të kesh një rënie të euros në 35 përqind sa ç’është rënia, është pothuajse shkatërrimtare”.
Sipas tij biznesi duhet të mbështetet për të rritur prodhimin, ndaj premton uljen e taksave dhe masa të tjera lehtësuese.
“Unë jam sot këtu për t’u zotuar para jush, energjia elektrike do paguhet me 6 lekë. Shqipëria do ketë çmimin më të lirë të energjisë në Europë për biznesin. Natyrisht sistemi më i ulët i taksave është zotimi ynë. Taksa 10 përqind është taksa më e lashtë. Në Bibël dhe Kuran është taksa 10 përqind, më e drejta”, theksoi Berisha.
Sipas Berishës, programi i Partisë Demokratike synon ndryshimin e jetesës së qytetarëve, duke nisur me rritjen e rrogave, por shoi se këto masa nuk do zbatohen duke dëmtuar biznesin.
“Ne do vendosim rrogën minimale 500 euro, por ne në dialog dhe bashkëpunim me sipërmarrësit, do bëjmë gjithçka që kjo të mos dëmtojë sipërmarrjet. Sepse t’i çosh sipërmarrjet drejt falimentimit është një marrëzi”, u shpreh kreu demokrat.
Duke u ndalur te shpopullimi, lideri demokrat premtoi se për çdo familje do të mbështetet financiarisht për çdo fëmijë. Ftesë pati dhe për të gjithë ata që janë larguar nga vendi, që të kthehen në atdhe, duke u premtuar se nëse Partia Demokratike vjen në pushtet do të kenë lehtësira fiskale për çdo biznes që do të hapin. (A2 Televizion)