Rrëzimi i avionit në Kazakinstan, Rama shpreh ngushëllimet: Uroj që paqja të mbizotërojë në rajonin e tyre

Nga A2 CNN
25 Dhjetor 2024, 15:21 | Politikë

Rrëzimi i avionit në Kazakinstan, Rama shpreh ngushëllimet: Uroj

Kryeministri Edi Rama ka reaguar për tragjedinë në Kazakistan, ku u rrëzua një avion pasagjerësh me 70 persona në bord i nisur nga Azerbajxhani. Në një postim në rrjetet sociale, kreu i qeverisë shpreh ngushëllimet për humbjen e jetëve dhe uron që paqja të mbizotërojë në të gjithë rajonin e tyre.

“Në emër të Shqipërisë, bashkohem me miqtë tanë të pikëlluar për të shprehur ngushëllimet e mia për vendet tona vëllazërore, Azerbajxhanin dhe Kazakistanin, dhe uroj nga zemra që paqja të mbizotërojë në të gjithë rajonin e tyre”, shkruan Rama.

Ditën e sotme një avion pasagjerësh me rreth 70 persona në bord u rrëzua në Kazakistan. Mediat ndërkombëtare raportojnë se kanë humbur jetën 42 persona, ndërsa 25 të tjerë kanë shpëtuar. 22 prej tyre janë dërguar në spital për trajtim të specializuar. Mësohet se avioni i rrëzuar i përket një linje ajrore nga Azerbajxhani dhe ishte nisur nga Baku dhe po fluturonte në drejtim të Groznit në Çeçeni.

Mediat, duke cituar burime pranë kompanisë ajrore, raportojnë se rrëzimin mund ta ketë shkaktuar përplasja me një tufë shpendësh në ajër, që mund t’i ketë dëmtuar motorët. Në momentin e rrëzimit është vënë re se mjeti fluturues ishte kapluar nga flakët. Në vendin e ngjarjes shkuan rreth 150 zjarrfikës që bënë të mundur shuarjen e flakëve. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos