Pas më shumë se 14 orësh debat, Parlamenti miratoi nismën ligjore të socialistëve që fal gjobat për ndërtimet pa leje në zonat rurale.
Demokratët dhanë votën pro vetëm në parim dhe pas rrëzimit të amendamenteve të paraqitura prej tyre, nuk morën pjesë më në votim. Opozitarët e konsideruan blof propozimin e shumicën, ndaj kërkuan që të faleshin edhe faturat e prapambetura bashkë me kamatat e energjisë elektrike dhe ujit.
Bashkimi i votave mes socialistëve dhe demokratëve për të miratuar në parim projektligjin për faljen e gjobave, u duk sikur mes palëve ishte gjetur gjuha e përbashkët. Por, mirëkuptimi zgjati vetëm pak. Pas prezantimit të amendamenteve të Partisë Demokratike që kërkuan zgjerimin e përfituesve, për të falur dhe faturat e prapambetura të ujit dhe energjisë elektrike, u panë sërish ndasitë.
Këto ndasi u përkthyen edhe në votim, ku socialistët ngritën kartonët e kuq për propozimet e pakicës.
Pavarësisht kundërshtive të deputetëve demokratë që nuk morën pjesë në votim, Partia Socialiste miratoi e vetme ligjin edhe në tërësi.
Po me votat e socialistëve u miratuan edhe ligjet e tjera, që nga ligji për mbrojtjen e të dhënave personale e deri tek krijimi i forcës rezerviste në Shqipëri. (A2 Televizion)