Sa mandate synon Shqipëria Madhështore? Tedi Blushi: 20 vetëm në Tiranë

Nga A2 CNN
30 Mars 2025, 21:47 | Politikë

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, zbuloi në “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2 CNN, se koalicioni Shqipëria Madhështore synon të fitojë 84 mandate në zgjedhjet e 11 majit, duke e quajtur të padiskutueshme fitoren kundër Partisë Socialiste.

“Nuk ka asnjë skenar tjetër veç se fitorja. Më 11 maj rikthehet liria për të gjithë shqiptarët. Do të jetë cunami, jo dallgë. Koalicioni do të fitojë, për këtë të jeni të sigurt. I vetmi debat është sa mandate? Objektivi ynë është 84, por fitorja është e padiskutueshme”, tha Blushi. “Tirana do të jetë pa diskutim kryeqyteti i fitores, me të paktën 20 mandate për koalicionin PD - ASHM”.

Objektivi ambicioz do të thotë që koalicioni opozitar do të marrë 21 deputetë më shumë se sa në zgjedhjet e kaluara. Në vitin 2021, Partia Demokratike dhe aleatët morën 59 mandate, ndërsa LSI 4 mandate.

Partia Socialiste siguroi e vetme shumicën, me 74 mandate, ndërsa 3 mandate mori edhe Partia Socialdemokrate. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos