Shqipëria është bërë pjesë e debatit në Komitetin për Çështjet e Jashtme të Parlamentit Europian. Eurodeputetët shprehën pikëpamjet e tyre përballë tre pjesëtarëve të shoqërisë civile, Gledis Gjipali, Artan Hoxha dhe Berta López Domenèch.
Në fjalën e tyre eurodeputetët parlamentar nxorën në pah problematikat e Shqipërisë, si polarizimi i skajshëm politik, problemet e korrupsionit por edhe krimin e organizuar i cili shpesh herë ka ndikuar tek zgjedhjet elektorale. Por Shqipëria sipas tyre ka arritur edhe suksese, siç është precesi i Vettingut, reforma në drejtësi dhe dekriminalizimi.
“Duhet të përcaktojmë shumë fenomene për Shqipërinë. Drejtësia mund të ketë ndryshuar, por siç edhe e dëgjuam shumë çështje nuk kanë marrë zgjidhje dhe kjo krijon një impakt negativ në mosfunksionimin e tij. Emigracioni mbetet problem, po ashtu edhe korrupsioni dhe krimi i organizuar. Duhet të shpjegohet qartë nëse bumi i ndërtimeve lidhet me pastrimin e parave”, u shpreh Gahler.
“Ky është debat politik dhe jo akademik. Po përballmi me zgjedhjet për një muaj dhe duhet njohur se është pikë kyçe në Shqipëri për hapjen e negociatave. Ka një progres të moderuar për votën e diasporës. Ka shqetësim për lirinë e medias dhe pavarësinë e tyre. Duhet një garë e ndershme dhe e barabartë brenda partive politike, ato drejtohen nga liderë të fortë duke hequr në këtë mënyrë edhe demokracinë e brendshme. Sistemi elektoral përballet me shumë sfida”, shtoi Kols.
Ndërsa Andreas Schieder u shpreh: “Dëgjuam për zgjedhjet, kodin elektoral dhe diasporën. Së dyti kemi edhe rekomandimin e OSCE të vitit 2021 që nuk është implementuar. Shqipëria është një vend që ka pasur vetingun që ka tronditur sistemin e drejtësisë fort. Tani ka edhe SPAK-n dhe që po hetojnë figurat e larta. Nuk jam dakord se SPAK po godet opozitën, ka shumë të pushtetshëm që po preken. Ka një unitet mes partive për integrimin e Shqipërisë në BE. Unë pyes Z. Hoxha, A keni ju një të kaluar politike si kandidat për President. Do ishte mirë të na e shpjegoni se pse fjala juaj është më pak akademike dhe më shumë politike”.
“Po flasim për një situatë polarizuese, por atë po e sjellim në PE dhe kjo nuk është normale. Duhet ti japim një zë opozitës, nuk jemi vend për debate politike në PE. Kolegët po bëjnë atë që duhet t’i japin një zë opozitës. Ju lutem referohuni debatit përpara zgjedhjeve sepse mund të minojmë procesin”, shtoi Sanchez Amor
Për analistin shqiptar, Artan Hoxha, situata në Shqipëri paraqitet problematike. Në përgjigje të pyetjeve të eurodeputetëve, Hoxha renditi krimin e organizuar, pastrimin e parave, dështimin e sistemit të drejtësisë duke hetuar vetëm opozitën dhe emigracionin, si elementët kyç të realitetit në Shqipëri. Për Z. Gjipali, Kodi elektoral dhe vota e diasporës duhen para si fenomene zhvillimesh.
Debati në Komitetin për Marrëdhënie me Jashtë në PE, vjen një muaj përpara mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri. (A2 Televizion)