Sazani për dhëndrin e Trump, Berisha: Nuk e kundërshtojmë, plotëson rregullat ligjore

Nga Arestina Skënderi
16 Janar 2025, 15:03 | Politikë

Demokratët nuk e kundërshtojnë vendimin e firmosur nga Edi Rama për të shpallur investitor strategjik kompaninë e dhëndrit të Donald Trump, i cili do të zhvillojë projektin e një hoteli luksoz në Ishullin e Sazanit. Pohimi erdhi nga vetë kreu i PD Sali Berisha gjatë një komunikim me mbështetësit e tij në rrjetet sociale.

“Prej të paktën që nga viti 2001 gjer sot, Sazani iu është ofruar biznesmenëve tëhuaj në mënyrë periodike. Kjo është oferta e radhës, të cilën pa diskutim Edi Rama e bëri për të blerë influenca politike. Por, një ofertë e cila plotëson rregullat ligjore, ne kemi deklaruar se nuk kundërshtojmë ofertat që bazohen në respektimin e ligjeve dhe rregullave të vendit”, tha Berisha, raporton A2 CNN.

Gjunjëzimin që kryeministri Edi Rama i bëri një ditë më parë homologes së tij italiane Meloni, Berisha e cilësoi si teatër të neveritshëm. “Teatër i neveritshëm, por mos u çudisni, Edi Rama është i aftë të marrë çdo vendim apo gjest për të forcuar sado pak lidhjet dhe pushtetin e tij”.

Berisha u pyet edhe për refuzimin që partitë e reja politike i bëjnë PD për t’u bërë bashkë në zgjedhje. “Këto forca politike vendosen në funksionin e opozitarëve të opozitës, le t’i gjykojnë qytetarët, por  nuk është një rol i denjë, është komprometues”.

Berisha u shpreh se PD po bëhet gati për primare, por pa dhënë asnjë afat se ku do të zhvillohen. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos