“S’e njohim partinë e Berishës si përfaqësuese të protestës”, Balla i drejtohet PD-së: Bëni mocion mosbesimi nëse keni këllqe

Nga A2 CNN
25 Qershor 2026, 11:37 | Politikë

“S’e njohim partinë e Berishës si përfaqësuese

Pasi PS nuk pranoi kërkesën e PD për zhvillimin e mocionit me debat në lidhje me protestën dhe kërkesat e qytetarëve, ka reaguar Taulant Balla. 

Kreu i grupit parlamentar socialist në një deklaratë për mediat theksoi se partinë e Sali Berishës s’e pranon si përfaqësuese të protestës.

Duke folur për mbledhjen në Konferencën e Kryetarëve, Balla tha se PD kishte sjellë në kërkesë mes 5 pikave 4 halle të vetat.

Kryefjala e përgjigjes sime është: I kam pyetur përfaqësuesit e opozitës në Konferencën e Kryetarëve me çfarë mandati keni ardhur si zëdhënës të protestës. Nuk mora përgjigje, dhe u thashë se nuk ju njoh fare si përfaqësues të protestës. Partinë e Berishës s’e pranoj dot si përfaqësues të protestës. Janë kaq të paaftë saqë kanë transformuar edhe kërkesat e protestuesve, pavarësisht se nga kush, një person me lidhje të forta me Iranit. Vetëm numri ishte i njëjtë dhe pika e parë, dorëheqja e qeverisë. Opozita në emër të protestuesve kishte sjellë 4 halle të vetat. Kushdo që janë organizatorë të protestës t’i përgjigjen edhe kësaj çështje, a ka mandat Berisha t’i përfaqësojë. Sapo nga protestuesit të sjellin në Kuvend një kërkesë me shkrim, do t’u kthej një përgjigje”, tha Balla.

Kreu i grupit parlamentar socialist e sfidoi PD-në të sjellë mocion mosbesimi për qeverinë dhe të sjellë kandidatin e saj për kryeministër. 

"Nuk kërkohet me mocion me debat, kërkohet me mocion mosbesimi. Mblidhni 28 deputetë, sillni kërkesën për mocion mosbesimi, me ndryshimet kushtetuese të vitit 2008, duhet të sjellësh edhe kandidatin për kryeministër, e sillni dot Saliun si kandidat për kryeministër. Mblidhni 28 firma, zgjidhni edhe kandidatin po keni këllqe, edhe hajde ta marrim në shqyrtim. Por s'mund të ngatërrosh, të kërkosh mocion me debat, të kërkosh dorëheqjen e qeverisë, është nen tjetër".  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos