“Shqipëria e pambrojtur nga sulmet kibernetike?”, Nini ngre alarmin: Nuk kemi sistem monitorimi askund

Nga A2 CNN
12 Nëntor 2026, 21:33 | Politikë

Drejtor i AcroMax Aldor Nini ka ngritur shqetësimin për mungesën e mekanizmave të monitorimit dhe kontrollit të aksesit në sistemet institucioneve të rëndësishme shtetërore. Në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN ai tha se Shqipëria nuk ka një organ të posaçëm që të mbikëqyrë vazhdimisht sigurinë e sistemeve dhe aksesin në të dhënat sensitive.

“Nga ana kibernetike, se këtu është dhe problemi më i madh, ne nuk kemi akoma një sistem të deçentralizuar për informacionet, qoftë ato që janë në mënyrën e përditshme në punë nga e-albania, nga tatimet e të tjera. Domethënë të gjithë janë në një vend dhe patjetër që ato aksesohen nga çdo person. Por sidomos për informacionet shumë sensitive, ne nuk kemi një organ i cili merret vetëm me mbikëqyrjen e proceseve që ne kemi implementuar, se sa të sigurta janë ato? Për shembull, nëse unë si drejtoreshë e SHISH-t sot dua të aksesoj një informacion i cili nuk më takon të aksesoj, le gjurmë kjo? Jo. Edhe nëse lë një gjurmë, kam mundësinë unë ta fshij atë gjurmën? Po kam. Që këtu vihet në pikëpyetje gjithë siguria e gjithë sistemit. Jo sepse kemi vendosur ndoshta personin e gabuar në krye, por sepse nuk kemi sistem monitorimi dhe kjo ndodh për policinë, kjo ndodh për AMP-në. E njëjta gjë ndodh te pjesa e drejtësisë me KLGJ-në, me KLP-në edhe gjithë institucionet e tjera”, tha Nini në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN.

Ai përmendi rastin e ndërhyrjes në databazën e TIMS-it, duke theksuar se personat me akses kanë pasur mundësi edhe të fshijnë ose manipulojnë gjurmët e veprimeve të tyre.

“Po a kam unë akses ta fshij auditin? Ne kishim, ne kishim rastin që u doënloadua gjithë database i TIMS edhe ai personi që e kishte atë aksesin kishte dhe mundësinë të fshinte dhe të manipulonte gjurmën. Ti ja ke dhënë çelësin. Është shumë e thjeshtë. E ke vënë një pozicion ku e ka edhe auditin edhe kërkesën”.

Sipas Ninit, ndryshimi i drejtuesve nuk zgjidh problemet. Duke komentuar sfidat e drejtoreshës së re të SHISH-it, ai tha se nevojiten masa konkrete për të parandaluar aksesin e paautorizuar në informacionet e klasifikuara dhe manipulimin e gjurmëve digjitale. Sipas tij siguria kibernetike kërkon monitorim të pavarur dhe mekanizma kontrolli që garantojnë gjurmueshmërinë e çdo ndërhyrjeje.

“Ne kemi një zakon shumë të keq që kur ndodh diçka, neve mendojmë duke ndryshuar thjesht personin, kemi rregulluar sistemin. Dhe pikërisht ky është problemi i sistemit tonë. Ne nuk rregullojmë sistemin. Ne nuk rregullojmë problemin. Unë nuk kam asnjë informacioni negativ për drejtoreshën e re, por nuk shikoj se cilat janë masat të cilat janë vendosur në punë për të evituar një situatë të tillë në të ardhmen. Po flas për disa eksperienca që i kemi parë jashtë shtetit ku ka pasur skandale të ngjashme, jo në këtë nivel. Atje është folur për masa, atje është folur për komisione që e mbikëqyrin institucionin, atje është folur për një monitorim të vazhdueshëm, është folur për masa të cilat identifikojnë se në cilat informacione ka akses një drejtoreshë. Flasim për dhënien e të drejtës për të pasur akses në disa informacione. Këtë gjë ne nuk e kemi. Ne kemi një drejtoreshë atje. Ne kemi pasur drejtor përpara dhe vetëm kur ndodh skandali ne befasohemi dhe çuditemi edhe themi; ok po e ndërrojmë personin edhe çdo gjë do rregullohet vetë”, tha Nini në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos