Shqipëria hap sot negociatat me BE për anëtarësim

Nga A2 CNN
15 Tetor 2024, 07:34 | Politikë

Shqipëria hap sot negociatat me BE për anëtarësim

Dita e sotme mund të konsiderohet si historike për Shqipërinë përsa i përket procesit të integrimit evropian.

Vendi ynë do të hapë negociatat me Bashkimin Europian dhe A2 ka zbardhur se kush janë kapitujt e parë që do të diskutohen.

Kryeministri Edi Rama ndodhet në Luksemburg, së bashku me Ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme Igli Hasani, Ministren e Shtetit dhe Kryenegociatoren Majlinda Dhuka, Ministren e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin Adea Pirdeni, si dhe një delegacion të përbërë nga negociatorët përgjegjës për kapitujt përbërës të grupkapitullit të parë.

Zhvillimi i Konferencës së dytë ndërqeveritare Shqipëri - BE do të shërbejë për hapjen e negociatave me Bashkimin Europian për Grupkapitullin e parë. Pas prezantimit të metodologjisë së rishikuar për negociatat e anëtarësimit në vitin 2020, kapitujt negociues ndahen në gjashtë grupime tematike: Themeloret; Tregu i brendshëm; Konkurrueshmëria dhe rritja gjithëpërfshirëse; Axhenda e gjelbër dhe lidhja e qëndrueshme; Burimet, bujqësia e kohezioni; dhe marrëdhëniet me jashtë.

Grup kapitulli i parë

-Funksionimi i institucioneve demokratike

-Reforma e administratës publike

-Kapitulli 23 – Gjyqësori dhe të drejtat themelore

-Kapitulli 24 – Drejtësia, liria dhe siguria

-Kriteret ekonomike

-Kapitulli 5 – Prokurimi publik

-Kapitulli 18 – Statistikat

-Kapitulli 32 – Kontrolli financiar

Ky grup kapitull hapet i pari dhe mbyllet në fund të procesit të integrimit. Progresi në këtë grup do të përcaktojë ritmin e përgjithshëm të negociatave. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos