Shqipëria ka bërë hapa pozitivë drejt anëtarësimit në BE. Kështu deklaroi nga Kukësi zëvendës presidentja e Bullgarisë Iliana Lotova, e cila e vuri theksin në angazhimin e vendit tonë në luftën kundër korrupsionit dhe reformën në drejtësi.
Zv/presidentja e Bullgarisë tha se vendi i saj do të jetë përkrah Shqipërisë në rrugën e integrimit.
“Ne ndjekim vazhdimisht rezolutat që vijnë nga Shqipëria dhe vendimet që merr parlamenti. Shohim se nga BE ka vlerësime pozitive. Ka një zhvillim të jashtëzakonshëm në luftën kundër korrupsionit, në sistemin e drejtësisë si dy nga hapat më të rëndësishëm drejt anëtarësimit në BE. Nënvizoj se Bullgaria nuk është ndalur asnjëherë duke mbështetur Shqipërinë në rrugën drejt BE”, tha ajo.
Numri dy i shtetit bullgar, këtë deklaratë e bëri pas takimit informal me kryetarin e bashkisë Kukës Albert Halilaj ku është biseduar edhe për çeljen e projekteve të BE për infrastrukturën në muajin maj. Lotova tha se Bullgaria do ta mbështesë Shqipërine për thithjen e fondeve nga këto projekte pjesë e të cilave do të jetë edhe Kukësi. Pas këtij takimi ajo udhëtoi drejt Malit të Zi.
(A2 Televizion)