“Është simbol i mençurisë”, Berisha me bufin në tavolinë, i përgjigjet Ramës

Nga Anesti Barjamemaj
28 Mars 2025, 15:07 | Politikë

Prej më shumë se një muaji, Kryeministri Edi Rama i është referuar kundërshtarit të tij politik, Sali Berishës, me etiketimin “bufi i kënetës”, por deri më tani kryedemokrati nuk kishte dhënë një përgjigje.

Për të treguar se nuk është aspak i ofenduar, lideri i opozitës u paraqit në një konferencë për shtyp me gazetarët, duke vendosur mbi tavolinë statujën e një bufi – simbol, sipas tij, i mençurisë dhe dijes që nga lashtësia, shkruan A2 CNN.

“Vendosa ta sjell këtu para mediave dhe para publikut shqiptar për të treguar se çfarë varfërie dhe shkretie kulturore ka njeriu që e citon dhe që e quan Sali Berishën çdo ditë me emrin e simbolit më të arrirë të dijes, mençurisë dhe vendimmarrjes në Greqinë e Lashtë dhe Romën e Lashtë”, tha Berisha.

Teksa bëri një shpjegim të plotë mbi simbolikën e bufit, ai u shpreh se nuk habitet që Kryeministri nuk është në dijeni se bëhet fjalë për simbolin e preferuar nga perëndeshat Athina dhe Minerva. “Edi Rama mendon se mund të më fyejë duke më quajtur buf. Injoranca nuk është argument, thotë Latini”, tha ai.

Në konferencën për mediat, Berisha prezantoi edhe logon e fushatës për zgjedhjet e 11 majit, duke e quajtur një bekim renditjen në krye të fletës së votimit. “Nuk ka dhuratë më të madhe se kjo. Ata që votojnë për Partinë Demokratike dhe Aleancën Shqipëria Madhështore votojnë 1-shin. De facto, janë 1-sha”.

Fushatën elektorale, Sali Berisha pritet ta ketë me ndalesa ndërkombëtare, pasi konfirmoi se në fund të muajit prill do të marrë pjesë në kongresin e Partive Popullore Evropiane. “Do të mbaj një fjalë, më është përcaktuar koha, më është dhënë mundësia të flas dhe unë do ta mbaj fjalën time. Ajo është një ngjarje shumë e madhe për jetën e Partisë Popullore dhe Partisë Demokratike. Jam i nderuar që do të shkoj dhe të paraqes Shqipërinë, të vërtetat ashtu siç i ka Shqipëria”.

Një koment pati edhe për seancën dëgjimore që pritet të zhvillohet në Komisionin e Jashtëm të Parlamentit Evropian për zgjedhjet e 11 majit. Sipas Berishës, kjo është një ngjarje madhore dhe një mbështetje e madhe për votën e lirë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos