Shqipëria Madhështore është një vend ku sundon ligji dhe garantohet të drejtat dhe liritë e qytetarëve, është Shqipëria e garës së barabartë në të gjitha fushat. Kështu u shpreh kreu demokrat Sali Berisha në bashkëbisedimin me gazetarët, i cili akuzoi kryeministrin Rama se e ka kthyer Shqipërinë në një vend tipik autokratik.
“Është Shqipëria në të cilën qytetarët nuk plaçkiten, nuk grabiten. Në të cilën interesat e tyre nuk rrëmbehen nga interesat familjare. Pasuritë publike nuk shpërndahen tek familjarët dhe prestanomet e qeveritarëve. Nuk përfundojnë në kontot offshore. Nuk konvertohen në saraje të Surrelit me park 8500 metër katrorë. Jo, Shqipëria zonjë shkon drejt BE me një shpërndarje të drejtë dhe të ndershme të buxhetit. Jo si një Shqipëri ku rroga më e lartë është më e madhe se 10 rroga mesatare. Nuk është vend demokratik ky, ky është vend tipik autokratik”.
Kreu demokrat theksoi se do të ketë zero tolerancë ndaj krimit e korrupsionit dhe do të ngushtojë hendekun mes të pasurve dhe të varfërve.
“Ne kemi përparësuar në mënyrë absolute zbatimin e ligjit dhe shtetin ligjor. Luftën me zero tolerancë ndaj krimit dhe korrupsionit. Ngushtimin sa më të shpejtë të hendekut të madh mes atyre që kanë dhe atyre që nuk kanë në Shqipëri”.
(A2 Televizion)