“Shteti braktisi qytetarët”, Berisha: Të shpallet emergjenca kombëtare, zjarret fatkeqësi natyrore

Nga A2 CNN
13 Gusht 2025, 15:32 | Politikë

Situata e rëndë e zjarreve në të gjithë vendin është komentuar edhe nga kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha. Nga selia blu, lideri i opozitës akuzoi strukturat shtetërore se kanë braktisur qytetarët.

“Shqipëria në memorie nuk ka patur, nuk ka qenë ndonjëherë në flakë si dy ditët e fundit. Por kjo gjendje emergjence kombëtare i gjen qytetarët shqiptarë nga jugu në veri, pothuajse tërësisht të braktisur nga narkoshteti”, tha Berisha.

Berisha kërkon mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe shpalljen e emergjencës, pasi situata është e tillë pohoi ai, shkruan A2 CNN.

“Nëqoftëse ka një situatë që quhet emergjencë kombëtare, për çdo shqiptar përveç se narkoqeveritarët, kjo është një emergjencë kombëtare. Në vend të mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare, këshilli vazhdon ahengjet nëpër festa të bashkive lokale”.

Përgjegjës kryesor sipas tij është Edi Rama, që sipas kreut të opozitës nuk po vepron sipas ligjit për të mbrotjur qytetarët.

“Edi Rama kalon nga kërcënim në një tjetër dhe unë absolutisht dënoj me forcën më të madhe, si një kriminel të shëmtuar atë që vë me qëllim zjarrin. Por edhe zjarrvënia pa qëllim, kërkon që çdo qytetar, në çdo akt dhe në çdo hap të ketë parasysh që të mos krijojë, sepse është një natyrë e ndezur. Kështu që në këtë kontekst, mbaj si përgjegjës kryesor të kësaj katastrofe, Edi Ramën, vjedhjet e tij”.

Berisha pohoi se nëse qeveria do të ishte e përgjegjshme Delvina dhe zona të tjera sot do ishin shpallur zona të fatkeqësisë natyrore. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos