Kryeministri Edi Rama paralajmëron masa të reja për sigurinë dhe rendin publik, pas protestave të studentëve dhe përplasjeve me policinë. Duke pranuar se pakënaqësitë për koston e jetesës, strehimin dhe mungesën e mundësive janë legjitime, kreu i qeverisë bëri një ndarje të prerë mes protestës paqësore dhe dhunës.
“Liria për të protestuar është një e drejtë që askush nuk mund ta diskutojë dhe që çdo shtet demokratik duhet ta garantojë. Dhe rruga e protestës paqësore është rruga që çon tek dialogu. Protesta, qëllimet, arsyet dhe mbi të gjitha nevoja e asaj pjese të shoqërisë që ka nevojë për një qasje më agresive të qeverisë ndaj shtrenjtimit të kostove të jetesës dhe ndaj problematikave që lidhen me meritën në promovimin e burimeve njerëzore, e kështu me radhë, janë fokusi absolut i imi dhe i qeverisë dhe do të ishte ende më mirë që të kishim një dialog me ata, të cilët duan t'i artikulojnë këto nevoja dhe duan t'i artikulojnë dhe idetë e tyre, për se si mund të adresohen këto nevoja”.
Rama përsëriti pretendimin se pas akteve të dhunshme qëndrojnë individë të radikalizuar, mes tyre edhe elementë të ANTIFA-s, persona me precedentë penalë dhe njerëz të nxitur apo të paguar.
“Një masë e larmishme njerëzish të radikalizuar ideologjikisht ANTIFA, të radikalizuar fetarisht, njerëz të nxitur dhe të paguar për të yshtur ndasinë fetare, njerëz me precedent penal, kriminelë të futur në turmë, të maskuar si studentë për të ushtruar dhunë.”

Kryeministri tha se ka kontaktuar personalisht disa prej protestuesve, por sipas tij, ata druhen të përfshihen në dialog nga frika e reagimit të pjesëmarrësve të tjerë.
“Kam komunikuar dhe me telefon, i kam ftuar dhe ata i ka karakterizuar frika nga njëri-tjetri, dëshira për të folur, por frika nga njëri-tjetri, frika se do cilësoheshin si tradhtarë.”
Ndërkohë, ministri Demo deklaroi se policia ka identifikuar personat që, sipas autoriteteve, kanë kryer akte dhune, edhe në rastet kur kanë mbuluar fytyrën.
“Ne kemi në fakt dita-ditës raste, të cilat janë të identifikueshme edhe kur protestuesit kanë fshehur pamjen e tyre nëpërmjet maskave, ne përsëri kemi arritur që të identifikojmë të gjithë protestuesit, të cilët kanë kryer akte dhune.”
Qeveria premton gjithashtu masa për të adresuar shqetësimet sociale të të rinjve, ndërsa për rendin publik Rama paralajmëroi propozime konkrete, duke iu referuar edhe zhvillimeve në Itali dhe Francë. Mes ftesës për dialog dhe paralajmërimit për forcimin e masave të sigurisë, kryeministri e mbylli me një mesazh të prerë.
“Kush mendon se gjunjëzon shtetin, bën kalkulimin më të gabuar.” (A2 Televizion)