“Siguria ushqimore, prioritet kombëtar!” Berisha premton agjenci të re me kompetenca të plota dhe laboratorë modernë

Nga A2 CNN
22 Prill 2025, 12:23 | Politikë

“Siguria ushqimore, prioritet kombëtar!” Berisha premton

Pas rasteve të raportuar në vend me salmonelë dhe pesticide, Sali Berisha ka njoftuar reformën në sektorin e sigurisë ushqimore si një ndër prioritetet kryesore të Partisë Demokratike. Në një takim për sigurinë ushqimore ai e cilësoi këtë fushë thelbësore për sigurinë kombëtare të vendit, duke premtuar se do të krijojë një Agjenci të re të Sigurisë Ushqimore me kompetenca të plota ekzekutive, të pavarur nga ndikimi politik dhe me mbështetje të drejtpërdrejtë nga strukturat më të larta shtetërore.

“Ky duhet të jetë një sektor qendror në fushën e sigurisë kombëtare. Pra, jo vetëm që siguria ushqimore duhet të jetë çështje e sigurisë kombëtare, por duhet të jetë edhe sektor qendror. Dhe kur them këtë, ky sektor që është në fakt multidisiplinor, duhet të ketë të gjithë mbështetjen dhe financimin, të gjithë transformimin. E thatë ju, që mjekët nuk paguhen. Po të rrinë pa veterinerë ata, kush do i kryejë detyrat? Pra, ne duhet ta marrim në themel këtë sektor. Janë krijuar disa institucione. Së pari, qendror do jetë institucioni i sigurisë ushqimore, agjencia. Kjo agjenci do të ketë të gjitha kompetencat ekzekutive. Se ai dha dorëheqjen, se tha se nuk kishte kompetenca. Se a kishte kompetenca apo jo, nuk mund të them, por të mbash institucionin qendror pa kompetenca është e papërgjegjshme. Ndaj ky institucion duhet të fitojë të gjithë fuqinë ekzekutive për të përmbushur detyrën e vet. Ky institucion duhet të dalë jashtë çdo politizimi. Vartësia mund të jetë e kryeministrit, e parlamentit, por ky është institucion qendror për shtetin dhe për kombin”.

Një tjetër pikë kyçe sipas Berishës është edhe modernizimi i laboratorëve shtetërorë. Ai premtoi se këto laboratorë do të jenë më të avancuarit në rajon, ndërsa buxheti për sigurinë ushqimore do të dy-trefishohet.

“Laboratorët e tij duhet të jenë laboratorët më modernë. Dhe unë u garantoj se do të dy-trefishojmë buxhetin në këtë fushë. Po, nuk ka asgjë më serioze. Siguria e ushqimeve, siguria e ilaçeve. E thatë ju, jam plotësisht dakord që ligji të parashikojë që asnjë produkt që nuk shitet në dy vende të BE dhe që ka përdorim në bujqësi të mos hyjë në Shqipëri. Jo. Unë nuk them se bota tjetër është e pasigurt, por Europa është më e sigurt. Unë i ndjek dhe konstatohet se Europa në këtë aspekt është më e sigurt. Është më e kushtueshme, por ia vlen. Kjo është për sigurinë. Ndaj dhe përveç kësaj, ne sigurisht jemi për liberalizimin e tregut, por laboratorët shtetërore të përgjegjësisë direkte zyrtare do të jenë të pajisur dhe nuk do të ndodhë...”.

Ai mbështeti gjithashtu propozimin që asnjë produkt bujqësor që nuk shitet në të paktën dy vende të Bashkimit Evropian të mos lejohet të hyjë në tregun shqiptar, duke e cilësuar BE-në si modelin më të sigurt për standarde ushqimore.

Berisha kritikoi politikat aktuale që, sipas tij, kanë çuar në privatizim të detyruar të shërbimeve jetike për qytetarët, duke theksuar se shteti duhet të garantojë shërbime publike me cilësi dhe përgjegjësi.

 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos