Mazhoranca socialiste rrëzon kërkesën e deputetëve te opozitës për interpelancë urgjente me kryeministrin Edi Rama për emërimin si Këshilltar të Jashtëm, të Florian Coldea, që sipas opozitës është i lidhur me mafien rumune.
Kreu i grupit demokrat Gazment Bardhi kërkoi nga kryeministri që të sqarojë pse zgjodhi për këshilltar një agjent të shërbimeve sekrete të huaja dhe që është i lidhur me trafikun ndërkombëtar të drogës.
“Kryeministri në bazë të kushtetutës është i detyruar t’i përgjigjet kërkesave për interpelancë. Shqiptarët kanë për kryeministër një frikacak. Rama ka frikë të vijë në kuvend ka frikë të përballet me opozitën, ka frikë të japë llogari për lidhjet e tij me krimin e organizuar e aferat ku vetë përfshihet nga dita e parë që është emëruar kryeministër i Shqipërisë. Kërkuam interpelancë se ekzistojnë dokumente zyrtare që kryeministri ka emëruar si këshilltar të jashtëm një agjent të shërbimeve sekrete rumune (Florian Coldea) dhe këtu ka shkelje se cenohet rëndë siguria publike. Dhe përveçse i përfshirë në veprimtari korruptive në shtetin e tij është i lidhur me një linjë trafiku droge që lidh Meksikën me Shqipërinë dhe Shqipërinë me Rumaninë. Nuk e kam kërkuar interpelancën për ta pyetur kryeministrin nëse ka marrë pjesë apo jo në një nga këto festat me kokainë. Unë dhe grupi i PD ka të drejtë ti kërkojë llogari sesi është njohur me këtë element që përveçse pjesë e shërbimeve sekretet të huaja rezulton dhe pjesë e një trafiku ndërkombëtar droge. Për çfarë janë përdorur taksat e shqiptarëve për të paguar këtë këshilltar të huaj?". (A2 Televizion)