Prokuroria e Posaçme dorëzon në gjykatë kërkesën për dërgimin për gjykim të ish deputetit socialist Alqi Bllako, i akuzuar për veprën penale korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendor, dy herë.
Në këtë dosje, Bllako akuzohet për inceneratorin e Tiranës. Ky është procedimi i tretë i përballjes së ish deputetit me drejtësinë, për çështjen e inceneratorëve. Më herët ai është dënuar me vendim të formës së prerë për inceneratorin e Fierit, me 2 vite e 8 muaj burg. Ndërsa është në pritje të dënimit përfundimtar për dosjen e inceneratorit të Elbasanit.
Sipas hetimeve të SPAk, dyshohet se Aldi Bllako ka përfituar rreth 120 mijë euro duke lëshuar fatura fiktive nga kompania e babait të tij në drejtim të kompanisë që ka fituar koncesionin për ndërtimin e inceneratorit të Tiranës.
Sipas SPAK, gjatë kohës që Vladimir Bezhani ishte këshilltar i jashtëm i ministrit të Mjedisit, Lefter Koka ai ka mbajtur kontakte me Klodian Zoton, sipas orientimit të Alqi Bllako duke i siguruar të dhëna të marra nga autoriteti kontraktor, që i shërbyen shoqërisë propozuese të Klodian Zoto, për të hartuar dokumentacionin e nevojshëm për propozimin e pakërkuar. (A2 Televizion)