Kritika e radhës e Edi Rama ndaj Prokurorisë së Posaçme lidhet me hetimin e SPAK në Universitetin Bujqësor të Tiranës, duke e krahasuar me aksionet e antimafias italiane në fshatrat simbol ku gjenin strehim bosët e familjeve mafioze.
“Si i shpjegohet austriakëve që një forcë speciale futet në një universitet dhe merr 24 masa sigurie për paraburgim, për arrest shtëpie dhe për detyrim paraqitje, a thua se u fut në fshatin e Korleones. Këto 24, 34 e 44 i bën prokuroria antimafia në Itali. Po në një universitet? Nuk e di. Europa ku ne duam dhe do të integrohemi ka një parim tjetër. Çdo person është i pafajshëm dhe i takon autoriteteve të provojnë fajësinë e tij”, tha kryeministri.
Kreu i mazhorancës nuk është dakord me idenë “që qëllimi justifikon mjetin”. Drejtësia sipas tij nuk mund të jetë çështje statistikash apo që gjykata e posaçme vetëm të pranojë urdhërat e SPAK.
“Unë nuk kam absolutisht asgjë kundër hetimit. Përkundrazi, e inkurajoj deri në fund të dalin ata që kanë prekur qoftë dhe 1 euro të buxhetit të shtetit, por ama këto paraburgimet me një të rënë të lapsit dhe këto noterizimet në Gjykatën Speciale, me filozofinë që çfarë çojmë ne atje, ata vetëm e firmosin, patjetër, se ne jemi Amerika, këto nuk i pranoj më”, shtoi Rama.
Përmend Moskën dhe Kremlinin kur flet për shkelje të standardeve europiane. Si shembull sjell vendimin e Strasburgut për çështjen e ish-drejtorit të RTSH, Thoma Gëllçi.
“Atje në Strasburg, atje ku Europa që do të na bëjë ne pjesë, na shikon përmes instrumentit që ka krijuar për të mos e lënë drejtësinë të rrëshqasë drejt Moskës, në emër të ndëshkimit, por për ta bërë drejtësinë të barabartë thotë: “Autoritetet shqiptare nuk kishin prova për të mbështetur pretendimin se zoti Gëllçi përbente rrezik arratisjeje”, deklaroi kreu i qeverisë.
Edi Rama pretendon se metodat sovjetike, siç i konsideron ai, po përdoren edhe për dëshmitarët.
“Nuk mund ta pranojmë ne që njerëzit merren dhe intimidohen atje si persona në dijeni, pa iu dhënë as status vetëm e vetëm që të mos marrin avokat se nuk dua të flas. Kam informuar ministrin e Drejtësisë për një intimidim tjetër shumë të rëndë të një nëne me dy fëmijë të cilës i kërkohet të pranojë atë që nuk e ka bërë dhe i thuhet “O do pranosh këtë ose do ta hash më keq sesa ata, të cilët duhet t’i zhysësh brenda”. Ku jemi këtu?”, tha Rama.
Me foton e zonjës së drejtësisë ne dore, vijon të ketë bindjen se opozita e sheh shpatën të vetmin mjet kundërpushtetit të tij. (A2 Televizion)