Kryedemokrati Sali Berisha ashtu si rivali i tij, Edi Rama, ka bërë thirrje për mobilizim masiv të deputetëve të tij për të marrë maksimumin nga votat e Diasporës në zgjedhjet e 11 majit.
Berisha në mbledhjen e grupit demokrat vlerësoi të vetët për punën e bërë gjatë kësaj kohë për regjistrimin e emigrantëve, por kërkoi që këto ditë, të lënë çdo gjë dhe deri më datën 2 t’u përkushtohen regjistrimeve të emigrantëve potencialë për të votuar PD.
“Tani, ky është një zhvillim shumë pozitiv, kjo frymë, ky optimizëm, ky vullnet që pasqyrohet në emigracion dhe diasporë, ka një ndikim të fuqishëm edhe në Shqipëri, ku njerëzit janë në kushte më të vështira, përballojnë të gjitha pasojat e narkoregjimit, po përsëri është mesazh shprese, mesazh besimi se do çlirohemi dhe është gjë shumë pozitive. Programi, përsëri unë theksoj, programi ynë duhet të jetë libri ynë, Kushtetuta jonë në këto zgjedhje, në kuptimin e komunikimit me ta”, tha Berisha.
Ai nënvizoi se demokratët duhet t’i afrohen Diasporës përmes programit të tyre, e me atë që e quan “libri i punëve të mira”.
“Ne, mbi të gjitha do paraqesim programin. Libri i dytë, libri kryesor, programi ynë. Ky program ka gjithnjë qytetarin, askush nuk mund të thotë se ku gjenden paratë. Të gjitha paratë janë. Po si do i shpërndash? Në qoftë se ne ndjejmë detyrim ndaj qytetarëve, sigurisht një pjesë të tyre do i kthejmë në rroga dhe pensione. Kjo është e thjeshtë. Prandaj do vendosim minimumin jetik 200 euro. Me 200 euro nuk do ketë më varfëri ekstreme. Të gjithë e zhdukin në këtë mënyrë varfërinë ekstreme. Kjo është vetëm fillimi. Rrogat minimale rriten me 20 përqind, janë 400, bëhen 500. Kjo është gjithnjë tre muajt e parë. Karta e konsumatorit. Po, nuk mund të taksohen njëlloj në ushqime ky që merr 200 euro me ty që merr 1 mijë euro. Ky do ketë kartën e konsumatorit, të paktën ato ushqime do i marrë pa taksa. Do i kthehen taksat”, shpjegoi Berisha. (A2 Televizion)