"SPAK mos të amnistojë Veliajn”, PD: Inceneratori i Tiranës dhe “5D” të trajtohen si grup i strukturuar kriminal

Nga A2 CNN
3 Korrik 2024, 15:25 | Politikë

Vetëhelmimi i Pal Trashjat në dyert e SPAK, që më pas i mori atij jetën, për Partinë Demokratike nuk është rastësi, por shembull i mosfunksionimit të drejtësisë.

Belind Këlliçi nga selia blu, akuzoi SPAK se në vend që të mbrojë qytetarët, ka prioritet të amnistojë kreun e Bashkisë Tiranë, Erion Veliajn, që për opozitën është përgjegjës i aferës së inceneratorit dhedosjes 5D.

“Spakistët, ose siç shpesh kërkojnë të na i shesin si ‘heronjtë’ e fëmijëve tanë, nuk e vunë ujin në zjarr për një skandal madhor që ka kapluar tëgjithë Shqipërinë dhe jo vetëm të ndjerin Pal Trashaj; skandalin e mikrokredive. SPAK nuk ka kohë të ndjekë hallet e qytetarëve të ndershëm të këtij vendi, pasi është tejet i ngarkuar për të mbuluar vjedhjet flagrante ditën për diell dhe për të amnistuar pronarin faktik të inceneratorit Tiranë, kreun e grupit të strukturuar kriminal 5D, hajdutin Erion Veliaj”.

Këlliçi kërkoi nga kreu i SPAK që dosjet e inceneratorit të Tiranës dhe të aferës 5D, të hetohen si grup i strukturuar kriminal.

“Altin Dumani ka detyrimin ligjor, siç veproi me dosjen e Sterilizimit, t’i kërkojë prokurorëve Prençi dhe Braho, që dosja e inceneratorit Tiranë dhe mega afera 5D, të trajtohen si Grup i Strukturuar Kriminal.  Erion Veliaj, përpara se të prishë provat në zyrën e tij në bashki, duhet që menjëherë të shkojë përpara drejtësisë, pasi ai është urdhëruesi dhe përfituesi kryesor i të gjithë korrupsionit galopant që ka ndodhur dhe po ndodh në Bashkinë Tiranë”.

Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokatike premton se denoncimet kundër Veliajt do të vijojnë, me një kallëzim të ri në SPAK.

“Nëse Altin Dumani vijon amnistinë për Erion Veliajn, ta ketë të qartë se hajdutin e Tiranës, nuk do ta amnistojnë kurrë opozita shqiptare, Partia Demokratike dhe qytetarët e Tiranës. Grupi i Ekspertëve pranë PD po përgatit ndërkohë një kallëzim të ri penal, për korrupsionin dhe vjedhjet e Erion Veliajt në bashkinë Tiranë”.

Një ftesë pati dhe për qytetarët që të bashkohen në protestën e radhës para bashkisë së Tiranës, të premten në orën 11:00. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos