“Drejtësia vonon, por nuk harron”. Kështu e ka komentuar kryeministri Edi Rama vendimin e Gjykatës së të Drejtave të Njeriut, me seli në Strasburg, për 21 Janarin.
Gjatë takimit me socialistët në Asamblenë e partisë në Dibër, Rama e cilësoi sërish 21 janarin si një krim shtetëror të urdhëruar nga qeveria.
“Arsyet që thuhen për këtë përshkallëzim të ri të marrëzisë nuk janë ato që dihen. Kjo lidhet sigurisht me drejtësinë. Gjykata e të Drejtave të Njeriut nxori vendimin, duke e rrëzuar të gjithë procesin farsë të zhvilluar në Shqipëri për 21 janarin. Si ka mundësi që pasi u vranë qytetarët e këtij shteti me pushkët e shtetit, si pasojë e hapjes së zjarrit të urdhëruar nga maja e zinxhirit, ky vend nuk pa drejtësi? Pa vetëm poshtërim të familjeve që humbën njerëzit e tyre”, tha Rama.
“Ky vendim i Gjykatës së të Drejtave të Njeriut është mishërimi më konkret i shprehjes “drejtësia vonon, por nuk harron”. Është krim shtetëror, me urdhër të drejtpërdrejtë dhe të paligjshëm qeverie”, shtoi Rama. (A2 Televizion)