“Synojmë Grup Parlamentar në 11 maj”- Dash Shehi optimist: Ja ku bazohet fitorja e ‘Djathtas për Zhvillim’

Nga A2 CNN
24 Mars 2025, 17:42 | Politikë

“Synojmë Grup Parlamentar në 11 maj”- Dash Shehi optimist:

Kryetari i koalicionit ‘Djathtas për Zhvillim’, z.Dashamir Shehi, është shprehur se grupi politik që ai drejton synojnë arritjen e votave për krijimin e një grupi parlamentar në 11 maj, pra 7 deputetë në rang republike.

Komentet Shehi i bëri në ‘Ditari i Pasdites’ me gazetaren Bruna Çifligu në A2 CNN, ku tha se rikthimi i pronës te pronarët legjitim, rritja e pensioneve dhe mbështetja e drejtësisë janë bazat e programit të koalicionit ‘Djathtas për Zhvillim’.

Ai i bëri thirrje qytetarëve që të mos votojnë ata që i kanë gënjyer prej vitesh dhe ata që janë të përlyer në korrupsion.

“Kur i dëgjoj këta Berishat e të tjerët që thonë do kthejmë pronën, më vjen për të qeshur, por edhe për të qarë, që ka akoma njerëz që i bësojnë se këta kanë dëshirë të kthejnë pronën. Kjo punë duhet të mbyllet. Por si të mbyllet? Çfarë thotë Edi Rama? Rama thotë të kthejmë 10-40 % të pronës. Ne themi prona duhet njohur dhe kthyer e gjitha. Edhe do kthyer fizikisht atje ku është e mundur, edhe është e mundur në shumë vende.

E patë ju që bëri ky paketën e maleve që do i japë mallet falas. Pasi i mbaroi lekët që ia dha falas siç desh vetë, tregoi që shteti shqiptar paska mundësi, paska tokë të lirë. Kjo mund ta lehtësonte faturën e shtetit të vetë, duke mos ja dhënë oligarkëve, por pronarëve. E dyta një faturë kompensimi, që besoj se financat mjaftojnë. E gjithë kjo rindërtohet sipas planit tonë, dhe kemi absolutisht besim që e bëjmë këtë punë. Me pronarët janë tallur dhe i kanë gënjyer. Kush i ha akoma këto gënjeshtra, le të votojë gënjeshtarët e pronës së vetë.

Ne duam që Shqipëria të industrializohet. Unë besoj që do jemi në Parlament, me një grup parlamentar. Në Tiranë pretendojmë 2 mandate e sipër, ndërsa në disa nga qarqet kryesore nga një. Mendoj se kemi simpatinë e mjaftueshme dhe organizim për të mbledhur vota. Duke pasur njerëz të ndershëm, ne jemi optimist që do ja arrijmë. Çështja e parë që do impononim nëse pas 11 majit do të jemi në qeveri, do të jetë kjo e pronave, e dyta kjo e pensioneve, që njerëz që kanë kontribuar për Shqipërinë, sot janë në këtë gjendje. Këto të dyja janë të para, për të treguar edhe mbrojtjen inekstremis të drejtësisë”, tha Shehi, shkruan A2 CNN. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos