Deputeti i PD-së Besart Xhaferri deklaroi në emisionin Off the Record me Andrea Dangllin se Edi Rama “e ka përdorur drejtësinë për vite me radhë” dhe sot po përballet me të njëjtin sistem që, sipas tij, ka dirigjuar.
Xhaferri tha se ankesat e kryeministrit në Gjykatën Kushtetuese tregojnë se Rama ka braktisur pretendimin e vjetër se “nuk ndërhyn në drejtësi”. Sipas tij, kryeministri ka ushtruar ndikim të fortë në sistem, duke përdorur strukturat e drejtësisë sipas interesave politike dhe duke “lëshuar njerëzit e vet” kur i ka qenë e leverdishme.
Deputeti demokrat theksoi se ky është rasti i parë ku drejtësia po heton një procedurë të qeverisë në mënyrë të plotë dhe jo sporadike. “Rama është gjendur ngushtë dhe tani po godet me të gjitha bateritë kundër këtij hetimi”, u shpreh ai.
Xhaferri kërkoi nisjen e një hetimi zyrtar ndaj kryeministrit, duke e konsideruar të paplotë punën e SPAK nëse “nuk trajton edhe 100 aferat ku del emri i Ramës”. Ai përmendi çështjet e inceneratorëve, prishjen e Teatrit Kombëtar, PPP-të e shëndetësisë dhe skandalet ku, sipas tij, “Veliaj apo Beqaj nuk kanë vepruar vetëm”.
Deputeti kritikoi edhe mosbalancimin e hetimeve gjatë procesit zgjedhor, duke e cilësuar drejtësinë “gjysmake” dhe të paqartë në veprimet e saj. Ai tha se PD-ja ka sjellë më shumë dosje në organet e drejtësisë se çdo tjetër, por kjo nuk mjafton nëse institucionet nuk nisin hetime të pavarura.
“Drejtësia nuk është aktor filmi që të jemi fans të saj. Nga drejtësia kërkohet drejtësi-jo selektive, jo e vonuar”, tha Xhaferri. (A2 Televizion)