“Foltorja 2 po bëhet për të mundur Salianjin”, Hitaj: Opozita po lufton mullinjtë e erës, jo mazhorancën

Nga A2 CNN
2 Dhjetor 2025, 21:54 | Politikë

Gazetari Arbër Hitaj, i ftuar në emisionin Off the Record me Andrea Dangllin, kritikoi situatën e brendshme në Partinë Demokratike, duke deklaruar se “Foltorja 2” e ish-kryeministrit Sali Berisha po shërben më shumë për goditje të brendshme sesa përballje me mazhorancën.

Hitaj u shpreh se nisma e re politike e Berishës nuk ka një bosht serioz dhe se duket të jetë ndërtuar “për të mundur Salianjin”, jo për të sjellë vizion apo alternativë kundër qeverisë. Ai foli për “shterpësi të jashtëzakonshme në kampin opozitar”, ku sipas tij po prodhohen vetëm seri lëvizjesh pa ide, pa program dhe pa asnjë peshë reale në skenën politike.

Gazetari kritikoi faktin që PD nuk ka ekip, strategji apo program për zgjedhjet 2029, ndonëse mazhoranca po përballet me probleme serioze për shkak të hetimeve të drejtësisë. “Në një moment kur qeveria është në vështirësi, opozita duhej të kapitalizonte situatën. Por ajo rrotullohet rreth vetes”, tha Hitaj në A2 CNN.

Ai përmendi mungesën e reagimit efektiv pas goditjeve ndaj figurave të mazhorancës, duke theksuar se opozita merret me sulme të pakuptimta ndaj emrave ndërkombëtarë si Federica Mogherini, Marta Kos dhe zyrtarë të BE-së. “Çerekut të shqiptarëve t’u pyesësh kush është Mogherini, nuk e dinë. Ndërkohë opozita po lufton mullinjtë e erës”, u shpreh Hitaj. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos