Demokratët mendojnë të ndjekin si model suksesi për t’u kthyer në pushtet modelin e Donald Trump. Në një mbledhje me krerët e qarqeve, kryedemokrati Sali Berisha mori si shembull rrugën që i dha fitoren presidentit të ardhshëm në SHBA.
“Ka një mësim kryesor që ne mund të nxjerrim nga fitorja e presidentit Donald Trump është takimi me njerëzit si rruga më eficente, më e suksesshme, më e sigurt e komunikimit dhe neutralizimit të agresionit mediatik qeveritar, mashtrimeve që përhapen çdo orë nga mediat e klonuara në zyrat e Edi Ramës”.
Nga shtëpia e tij ku ndodhet në izoluar në kushtet e arrestit, Berisha udhëzoi krerët e qarqeve për prioritetin që ata duhet ti japin planit ekonomik në fushatë.
“Ju jeni dëshmitarë se prej disa kohësh ne kemi parashtruar programin tonë ekonomik të emergjencës, program i cili synon të rikthejë individin, problemet, të gjitha çështjet e tij jetësore në qendër të veprimtarisë qeveritare drejtuese. Ndaj dhe ajo që unë kërkoj sot nga ju në të gjithë agjendën tuaj, çështja kryesore do të jetë çështja ekonomike”.
Vota e diasporës mbetet një nga kolonat kryesore qe mund te sjellë në pushtet demokratët pohoi Berisha, teksa theksoi se PD është e gatshme të bëjë çdo ndërhyrje që emigrantët të kenë mundësi të votojnë.
“Ta marrim në mënyrën më serioze çështjen e mobilizimit të çdo potenciali për shqiptarët jashtë vendit. Do jenë ata Leva e Arkimedit në një sukses të ri si ai i vitit 1992. nuk ka dyshim se PS e përballur me zemërimin dhe revoltën e brendshme dhe të shqiptarëve jashtë do bëjë gjithçka për ta ndërlikuar këtë proces”.
Ndonëse opozita u rikthye në Kuvend, Sali Berisha paralajmëroi demokratët të bëhen gati për sakrifica dhe mosbindje civile të gjatë. (A2 Televizion)