Opozita propozoi në Këshillin e Legjislacionit që tatimi i parapaguar në kuadër të ligjit për profesionet e lira, që u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese, t’u kthehet mbrapsht qytetarëve. Mbledhja mori në shqyrtim tre vendime të Kushtetueses, mes të cilave edhe atë për komisionet hetimore dhe rregulloren e Kuvendit.
Këshilli i Legjislacionit shqyrtoi tre vendime të Gjykatës Kushtetuese mes të cilave edhe ligjin për tatimin e profesioneve të lira. Vendimi i gjykatës caktoi se ky ligj ishte antikushtetues dhe tashmë, Kuvendi do të duhet të adresojë se çfarë do të bëhet me paratë e personave që kishin parapaguar tatimin.
“Të kthehen paratë te buxheti i familjarëve, jo te buxheti i shtetit”, tha Gazment Bardhi.
Ky propozim i opozitës nuk mori asnjë përgjigje nga maxhoranca e cila vendosi që për këtë vendim të Kushtetueses të hartojë një raport me relator Eduard Shalsin. Qasje të cilën e ndoqën edhe për dy vendime të tjera të gjykatës që kishte gjetur në antikushtetuetshmëri ndryshimet në rregulloren e Kuvendit dhe ligjin për komisionet hetimore. Pikërisht caktimi i relatorit për hetimin parlamentar, shkaktoi edhe debatin në sallë.
Në finale anëtarët ranë dakord që të tre vendimet e Gjykatës Kushtetuese të adresohen menjëherë nga Kuvendi pas hartimit të raportit nga Këshilli i Legjislacionit. (A2 Televizion)