Partia Demokratike ka përsëritur kërkesën për zgjedhje të parakoshme në Tiranë. Nënkryetari i Këshillit Bashkiak, Dorian Teliti, në një deklaratë në emër të PD teksa iu referuar shifrave të shpenzuara nga bashkia në 7-mujorin e parë të vitit akuzoi se paratë kanë shkuar për luks dhe jo për problemet e qytetarëve.
Sipas tij kjo situatë zgjidhet vetëm me zgjedhje të parakoshme në Tiranë.
“Tirana është sot pasqyra më e qartë e një qeverisjeje vendore të degraduar, të kapur nga interesa të ngushta politike, ku përfaqësimi është zëvendësuar nga emërimi, dhe transparenca nga arroganca.
Sipas të dhënave zyrtare të vetë bashkisë për 7 muajt e parë të vitit 2025, vihet re një shpërdorim flagrant i taksave të qytetarëve. 13 milionë euro më shumë janë shpenzuar për paga dhe shpenzime operative, për të mbajtur në këmbë një administratë të fryrë dhe politikisht të kapur.
Ndërkohë, investimet publike, thelbi i çdo qeverisjeje vendore që funksionon në shërbim të komunitetit, janë neglizhuar plotësisht. Në këtë 7-mujor vetëm 35 milionë euro investime janë realizuar, që përbëjnë vetëm 20% të planifikimit për periudhën janar-korrik, duke lënë qytetarët pa infrastrukturë, pa shërbime dhe pa zhvillim.
Partia Demokratike e konsideron këtë situatë të papranueshme dhe rikujton qytetarët dhe institucionet se qeverisja pa votë është uzurpim, jo demokraci.
Ndaj ne ritheksojmë kërkesën tonë të qartë: zgjidhja e vetme për të rikthyer normalitetin dhe funksionimin demokratik në Bashkinë e Tiranës është mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme”, tha Teliti. (A2 Televizion)