"Të gjithë zyrtarët nën hetim të japin dorëheqjen"- Sejamini: Vetëm kështu i afrohemi standardeve të BE

Nga A2 CNN
23 Dhjetor 2025, 21:44 | Politikë

Gazetari Neritan Sejamini, i ftuar në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN, deklaroi se "të gjithë zyrtarët nën hetim të japin dorëheqjen".

“Ti sot ke një drejtuese të Agjencisë së Shoqërisë së Informacionit e cila është e inkriminuar, ka vajtur në zyrën e një personi i cili akuzohet se është eksponent i krimit, bën me të pazare, i thotë atij kam hequr edhe njerëz nga puna për të mbrojtur nderin tënd dhe sot akoma është drejtoresha e agjencisë, nuk është pezulluar, nuk është shkarkuar. Kemi një zëvendëskryeministre dhe ministre e cila po mundohet të përdorë imunitetin për të mos u hetuar. Nëqoftëse ajo është e pafajshme nuk ka asnjë problem që të hetohet. Çfarë lidhje ka kjo me Partinë Demokratike, me zotin Lapaj, me të tjerët që ne si shoqëri të themi: “Më fal, kjo nuk mund të tolerohet”, tha Sejamini.

“Para disa muajsh u bë një peticion me profesorë, doktora, me njerëz të medias kundër nja dy individëve të cilët kishin folur për gjuhën shqipe. Ishin shqetësuar jashtë mase që këta pretendonin në mënyrë joshkencore se gjuha shqipe është e lashtë dhe i rreshtuan profesorat. Pyetja ime është, ku janë këta profesorë doktora sot që ne kemi praktikisht një situatë ku qeveria nuk i jep fare llogari njerëzve në një moment krize, ku politikanët e korruptuar ose të akuzuar për korrupsion mbrohen me imunitet dhe nuk pranojnë të trajtohen të barabartë para ligjit, ku njerëz të cilët dyshohen se kanë shantazhuar, kanë rrëmbyer persona për të vjedhur tendera, vazhdojnë të drejtojnë agjencitë. Ke të gjithë drejtuesit e agjencive shtetërore që akuzohen, disa janë edhe në gjyq, të Rrugëve, të KESH-it, OSSHE-së, të Bashkisë së Shkodrës, të cilët vazhdojnë të jenë në detyrë, megjithëse një pjesë janë në gjyq, të mbaruar me akuza dhe askush nuk jep dorëheqjen. Çfarë standardi është ky i qeverisjes? Është edhe i moralit individual. Dhe pse ne nuk e ngremë zërin që ky standard të zbatohet? Duam të jemi si Evropa, atëherë nëse duam të jemi si Evropa, kryetari i Bashkisë së Shkodrës, drejtori i KESH-it, drejtori i OSSHE-së, drejtori i agjencisë, që janë në hetim duhet të japin që nesër dorëheqjen dhe për këtë nuk ka nevojë të çohet opozita në rrugë”, shtoi Sejamini. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos