Presidenti Bajram Begaj nisi procesin konsultativ për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Të parët që ftoi në zyrë ishin krerët e partive të vogla të cilët shihnin si më të volitshme datën 4 Maj për realizmin e votimit.
“Duke qenë se në 9 maj përflitet për një aktivitet që do të jenë kryeministrat e Evropës, kjo mund te ndikojë në zgjedhje dhe mendojmë se data 11 është e papërshtatshme. Por në fund të fundit ata që vendosin dihet se kush janë, ne kemi dhënë propozimin tonë”, tha Agron Duka.
Dy të dielat e para të muajt maj shihen si më të favorshme edhe për PDIU-në, por me një argument tjetër. Sipas Idrizit, kodi zgjedhor është ende në procedurë ankimimi në kushtetuese, ndaj duhet sa më shumë kohë për realizimin e zgjedhjeve, shkruan A2.
“Vendimi i GJK mund të sjell ndryshime të tjera. Në këtë kuptim, janë datat e dyta, datat fundore si më të volitshme për PDIU”, tha Shpëtim Idrizi.
Më shumë se sa deklarata e të vegjëlve, ajo që bëri lajm ishte agjenda e Bajram Begajt, i cili ka parashikuar takim edhe me Lulzim Bashën për të konsultuar datën e zgjedhjeve, i cili zyrtarisht nuk përfaqëson asnjë subjekt politik, veç mandatit të deputetit.
Edhe për vendoret e vitit 2023, Presidenti thirri në konsultë Rithemelimin e Berishës që në atë kohë ishte një realitet de facto politik, por ende jo de jure.
Krahas Bashës, Presidenti do të presë edhe Alibeaj që deri më tani, partinë e ka njoftuar në media por pa e regjistruar në gjykatë, raporton A2. Të hënën është radha e të mëdhenjve të politikës, socialistët dhe demokratët, ku këta të fundit, kanë konfirmuar se nuk do ta begenisin Begajn. (A2 Televizion)