Një ditë pas protestës së opozitës, anëtarja e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Iliriana Kuçana, ka ngritur akuza ndaj policisë për përdorim të tepruar dhe të pazakontë të gazit lotsjellës.
E ftuar në studion e Dita Jonë në A2 CNN, Kuçana deklaroi se protesta ishte ndryshe nga herët e tjera, si për nga pjesëmarrja, ashtu edhe për nga ndërhyrja e forcave të rendit, të cilën e cilësoi agresive. Sipas saj, protestuesit janë përballur me një sasi shumë të madhe gazi, që ka shkaktuar pasoja të rënda.
“Ishte më tepër se çdo herë tjetër në protestën e opozitës. Jo vetëm se ishte më shumë, por unë mendoj, se edhe përzierja ishte krejt ndryshe nga protestat e mëparshme. Kam pasur ndjesi të vjellash, ka pasur ndjesi ku ishte e pamundur të shikoje për disa minuta. Patjetër që frymëmarrja është një problem që vazhdon edhe sot edhe ditëve në vazhdim, sepse ne patjetër që kemi parë lotsjellës dhe e kemi përjetuar në çdo protestë,” u shpreh ajo në Dita Jonë në A2 CNN.
Kuçana hodhi dyshime se mund të jetë përdorur një përzierje më e fortë se zakonisht:
“Unë dyshoj se përzierja nuk ishte si herët e tjera. Ishte shumë më e rëndë dhe e pamundur të merrje dot veten.”
Ajo akuzoi Policinë e Shtetit për përdorim të drejtpërdrejtë të gazit ndaj protestuesve dhe veçanërisht ndaj liderit të opozitës, Sali Berisha.
“Mbrëmë ka qenë e vështirë dhe ka pasur sasi shumë të mëdha gazi, të cilat duhet të themi që ishte e vështirë për t'u përballuar. Policia e shtetit ishte agresive dhe shikojmë mënyrën se si ata e hedhin. Më përpara e hidhnin në turmë, tani e hedhim drejtpërdrejtë në fytyrat e të njerëzve. Nuk është normale”.
Gjithashtu, Kuçana theksoi se ndonëse situata ishte e vështirë, protesta ka treguar vendosmërinë e qytetarëve, të cilët sipas saj nuk dorëzohen dhe vazhdojnë të kërkojnë ndryshim.
(A2 Televizion)