“Tirana s’mund të mbetet jetim”, Rama thyen heshtjen për Kushtetuesen: Atëherë lironi Veliajn

Nga Ervin Koçi
4 Nëntor 2025, 15:31 | Politikë

Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që i rikthen detyrën Erion Veliajt, Edi Rama zgjodhi të komentojë publikisht duke e cilësuar një provë të pavarësisë së institucioneve. Por, ndërsa e vlerësoi si “shenjë të mirë”, kryeministri fajësoi vetë Kushtetuesen për ngërçin që sipas tij, po e lë kryeqytetin pa drejtim, duke kërkuar lirimin e Veliajt për të vijuar procesin në gjendje të lirë.

Zotimin se nuk do të komentonte vendimet e gjykatave zgjodhi ta thyente këtë herë dhe hodhi disa rreshta për Kushtetuesen që i dha të drejtë Erion Veliajt. Këtë vendim të Gjykatës kryeministri thotë se është dëshmi se ai nuk i kontrollon të gjitha pushtetet por duke bërë fajtore kushtetuesen se ngërçi me drejtimin e Bashkisë së Tiranës vijon të mos zgjidhet.

“Nëse Tirana nuk do të ketë zgjedhje deri në 2027-ën dhe Kushtetuesja mendon se kryebashkiaku i burgosur i Tiranës nuk mund të largohet përveçse me zgjedhje, atëherë disproporcioni i mbajtjes së tij në qeli nuk është më thjesht në dëm të lirive e të drejtave kushtetuese të personit, po edhe në dëm të së drejtës kushtetuese të popullit të kryeqytetit për t’u shërbyer nga i zgjedhuri i vet apo jo.”

Si zgjidhje të kësaj situate Edi Rama sheh lirimin e Erion Veliajt duke i renditur krah tij në gjyqin e radhës që ai do të ketë në Kushtetuese, atë për rrëzimin e masës së sigurisë të arrestit me burg. 

“Çdo njeri normal që nuk sheh tek qëndrimi i Kushtetueses një qëndrim të verbër kundër qeverisë në dëm të madh të Tiranës, po një qëndrim të vendosur  parimor, nuk ka se si të mos presë që me të njëjtën parimësi, kur të gjykojë paraburgimin e tij, Kushtetuesja ta kthejë Erion Veliajn në detyrë, për të vijuar procesin gjyqësor në gjendje të lirë apo jo.”

Gjykata Kushtetuese vendosi të hënën të lejë në detyrë Erion Veliajn duke hedhur poshtë VKM që e shkarkoi nga detyra, e për pasojë, edhe mundësinë për të zhvilluar zgjedhje të parakohshme në Tiranë.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos