Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bëri publike rregullat për regjistrimin dhe identifikimin e emigrantëve për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Nëpërmjet një projektvendimi të hedhur për konsultim publik, KQZ bën të ditur afatet se kur fillon dhe përfundon regjistrimi i emigrantëve.
“Zgjedhësi që dëshiron të votojë nga jashtë paraqet kërkesë në mënyrë individuale për regjistrim në listën e zgjedhësve që votojnë nga jashtë vendit në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Afati për paraqitjen e kërkesës fillon 120 ditë para datës së zgjedhjeve dhe përfundon 68 ditë para kësaj date. Kërkesa kryhet përmes Platformës Elektronike të Regjistrimit, e cila krijohet, mirëmbahet dhe përditësohet nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve."
Pyetja që ka shoqëruar debatet politike sa i përket votës së diasporës ishte vërtetimi se kërkesa për të votuar nga jashtë vendit nuk bëhet nga persona të tretë. Për këtë, KQZ ka futur tre masa paraprake që do të mundësojnë autentifikimin e votuesit.
“Paraqitja e kërkesës bëhet duke krijuar një llogari në këtë platformë nga vetë zgjedhësi. Krijimi i llogarisë dhe hyrja në të në vijim sipas rastit bëhet nëpërmjet përdorimit të 3 faktorë autentifikimi. Njëri prej faktorëve autentifikues duhet të jetë biometrik me njohje të fytyrës, faktori tjetër është një kod unik i përkohshëm 6 shifror që i dërgohet zgjedhësit në numrin e tij të telefonit dhe e-mail, si dhe faktori i tretë është Numri Personal i Identifikimit i zgjedhësit dhe fjalëkalimi”, sqaron KQZ, siç citon A2.
Hallka e fundit që përfundon regjistrimin është adresa ku do të dërgohet fleta me postë. Kjo mund të përcaktohet përmes një akti pronësie apo kontrate të qirasë së banesës ku jetojnë emigrantët, kontrata të energjisë elektrike, ujit apo internetit; si edhe vërtetim nga organet e shtetit që provojnë se janë rezident në kampe emigracioni, institucione shëndetësor apo të tjera të ngjashme me to, shkruan A2.
Dekreti për parlamentaret e 2025 nuk është firmosur ende nga Presidenti Bajram Begaj, për të vënë në lëvizje administratën zgjedhore. Kodi Zgjedhor përcakton se data duhet të jetë një nga të dielat mes 15 prillit dhe 15 majit të 2025. (A2 Televizion)