I gjithë debati i sotëm në Kuvend për deputetin e Lëvizjes Bashkë, Redi Muçi, ishte një grindje servile për të treguar se kush është më i preferuari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN ai tha se duhet të diskutonin temat më të nxehta që kanë pasoja për vendin.
“Ndodhi në fakt një lloj debat do ishte shumë ta quaj, sepse më tepër ishte grindje se kush është i preferuari i Amerikës. Për fat të keq shqiptarët panë atë teatrin e radhës, mes dy palësh që kanë të njëjtin problem dhe të njëjtat interesa se kush t'i serviloset më shumë liderit global pa analizuar në fakt pasojat që ka për vendin e tyre”, tha deputeti në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN.
Sipas tij debati politik duhet të ishte fokusuar te zhvillimet ndërkombëtare dhe pasojat e tyre për Shqipërinë, veçanërisht te tensionet mes SHBA-së dhe Bashkimit Europian, tarifat e larta, çështja e Groenlandës dhe paqartësitë që këto krijojnë për aleancën euroatlantike.
“I gjithë diskursi do duhej të përqëndrohej në tematikat e nxehta të ditës që diskutohen edhe përtej vakëfit të Shqipërisë. Domethënë do të duhet të flitej për faktin që ky konflikt mes SHBA-së dhe BE-së është diçka që ka krijuar një lloj amullie në lidhje me këtë që quhet aleanca euroatlantike apo jo? Në lidhje me çështjen e Groenlandës, me çështjen e tarifave të larta dhe që një vend si Shqipëria i cili aderon për t'u integruar në Bashkimin Europian”, theksoi Muçi në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN.
Muçi theksoi se Shqipëria, e cila synon integrimin në Bashkimin Europian, duhet të analizojë qëndrimet e vendeve kryesore të BE-së, si Franca, Danimarka, Norvegjia dhe Sllovenia, të cilat kanë refuzuar aderimin në Bordin i Paqes.
“Do të duhej minimalisht të dëgjonte argumentet e vendeve ndër më të rëndësishme të Bashkimit Europian si Franca, Norvegjia, Danimarka edhe Sllovenia që të cilat e refuzuan, por të dëgjonte dhe argumentet e shumë prej vendeve të tjera, pra të gjitha vendeve të tjera, të cilat ende nuk kanë mbajtur një qëndrim në lidhje me aderimin në këtë që quhet bordi i paqes, edhe sepse vë në dyshim si të thuash vazhdimësinë e organizatës së kombeve të bashkuara, ligjshmërinë e saj, themeluar që në vitin 1945 dhe këtu duhet të përmbahet diskursi, debati i sotëm në kuvend”.
(A2 Televizion)