Kryeministri Edi Rama, në Forumin Ndërkombëtar FII (Future Investment Initiative), deklaroi se Zoti e shpëtoi Presidentin amerikan Donald Trump edhe sepse ai, sipas kryeministrit, ka një plan edhe për Evropën.
“Jam tejet i kënaqur që gjendem këtu me një udhëheqës të madh, me një mik të shtrenjtë, Presidentin e Francës që vjen në Tiranë për herë të dytë brenda 18 muajsh, pas një periudhe 110-vjeçare kur nuk na kishte ardhur asnjë President. Kam kënaqësi, por jam edhe i tmerruar sepse të flasësh para Emmanuel Macron nuk është më e mira që mund të të vijë në jetë. Vjen nga një jetë e mëparshme ku i është dashur të merret me investues, njerëz të biznesit, kapitale dhe unë vij nga një jetë ku më është dashur të merrem me ngjyrat dhe ekspozitat”, tha fillimisht Rama, shkruan A2.
“Dua të them se jemi shumë krenar për atë që kemi arritur deri më tani. Askush nuk do ta kishte imagjinuar atë çfarë po ndodh sot, e dje, por po flas për imagjinatën e 5 apo 10 viteve më parë. Kemi bërë rrugë të gjatë, tanimë jemi dëshmitarë të rezultateve të ndryshimeve që po realizojmë. Kjo është një gjë që siç na jep kënaqësi, edhe na tmerron, sepse përgjegjësia është e madhe dhe kërkesa për rezultate në nivele të larta po rritet. Dje zhvilluam një samit fantastik dhe kuptuam sesa e ndërlikuar është të organizohet një eveniment i madh, por mendoj se ia dolëm mirë. Edhe pse në pjesën perëndimore të Evropës kanë bërë kaq shumë të tilla, në fund mendojnë se të ftuarit meritojnë ushqime të shpejta, ndërkohë që ne iu ofruam majën e gastronomisë që të ndiheshin sa më mirë dhe mendoj se ia dolëm me sukses. Jemi këtu që të përcjellim mesazhin që ky vend do më shumë dhe që ky vend ka nevojë më shumë njerëz që të na besojnë”, shtoi kryeministri.
Edi Rama shtoi: “E mira e Shqipërisë është që ne jemi miq të mirë me shumë njerëz. Ne duam që miqtë e të ftuarit, jemi partnerë të SHBA e BE, por edhe të bekuar se kemi partneritete të bekuara me Emiratet, Arabinë Saudite... E kemi ndjekur me admirim vizionin e këtyre vendeve. Po përpiqemi të mësojmë nga realitete të ndryshme dhe të bëjmë maksimumin që të nxjerrim më të mirën prej tyre. Jemi të vetëdijshëm që kohërat që jetojmë janë të ndërlikuara. Besoj dhe vazhdoj të besoj se kur Trump thotë që zoti e shpëtoi sepse ka një plan për Amerikën, ai thotë gjysmën e të vërtetës. Unë besoj se gjysma tjetër është që zoti e shpëtoi se ka një plan edhe për Evropën. Dua të ndaj me ju këtë bindje që kur dëgjova Presidentin e SHBA të fliste për një epokë të artë, ndjesia ime ishte që në fakt, një epokë e artë mund të çelet edhe për Evropën. Gjithçka do të varet nga sa shpejt do të mendojmë jashtë kornizës dhe të veprojmë e kuptojmë që në këtë botë çdokush tjetër po bën të pamendueshmen, Evropa ka vazhduar të mendojë njësoj siç mendonte përpara këtij momenti të shfaqur në jetën tonë. Evropa mund dhe duhet të mendojë të bëjë të pamendueshmen”. (A2 Televizion)