Adriatik Lapaj, në një lidhje direkte me studion e “Terminal” nga Aurora Sulçe, në A2CNN, tregoi përplasjen e sotme të protestuesve me policinë.
“Pati një përplasje të shkaktuar prej tyre (policisë) sepse ne kemi dërguar shkresa para 5-6 ditësh dhe kemi njoftuar për një protestë 24 orë në 24, pa afat. Ne nisim edhe përditë nga një shkresë ku njoftojmë për të qenë në rregull. Bashkisë i kemi kërkuar çdo ditë me shkresë të na lidhë energjinë elektrike. E drejta jonë për të protestuar është e drejtë kushtetuese dhe nuk e interpreton dot as policia dhe as bashkia. Bashkia ka 6 ditë që nuk na lidh energjinë elektrike”, tha Lapaj.
Ai shtoi se thirrja për të siguruar një gjenerator nga qytetarët u plotësua, por sa u ndez gjeneratori “erdhën 80 policë dhe donin të na i merrnin”.
“Ne nuk jemi qytetarë të dorës së dytë. Duhet të jenë të gjithë të barabartë dhe prandaj ndodhi përplasja. Nuk i lejuam të merrnin gjeneratorin dhe logjistikën. Kaq ishte”, shtoi Lapaj. (A2 Televizion)