
Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, i ka kërkuar Sekretarit të Përgjithshëm Flamur Noka të japë dorëheqjen nga posti, duke e akuzuar se ishte përgjegjës për zgjedhjen e Endrit Shabanit si Avokat i Popullit me firmat e PD, raporton A2 CNN.
“Jep dorëheqjen Flamur, ke shkatërruar partinë dhe je përgjegjës për atë që ndodhi me avokatin e popullit”, mësohet të ketë thënë Salianji në mbledhjen me dyer të mbyllura.
Mbledhja me dyer të mbyllura është shoqëruar me ngritje zëri të herëpashershme. Mësohet se Noka i ka thënë Salianjit: “me këtë që po bën ti je duke bashkëpunuar me ata që kemi përballë”.
Salianji ka ndërmarrë në javët e fundit një tur takimesh me ata simpatizantë dhe anëtarë të PD në të gjithë vendin, takime që kreu i partisë, Sali Berisha, i ka cilësuar si nisma personale dhe pa lidhje me partinë. Pavarësisht kësaj lëvizjeje, Salianji ka qenë i pranishëm në foltoren e fundit të PD në bulevard.
Para nisjes së mbledhjes, Berisha njoftoi zhvillimin e një proteste kombëtare kundër qeverisë për në datën 22 dhjetor. (A2 Televizion)