Avokati i Popullit, Noka: Salianji ka telefonuar deputetët e PD, Grida Duma loboi te Rama për Endri Shabanin

Nga A2 CNN
13 Dhjetor 2025, 18:06 | Politikë

Sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka, kërkoi ndjesë për firmat që deputetët e partisë së tij dhanë duke lejuar Endrit Shabanin të kandidonte si Avokat i Popullit, por tha se deputetët kanë treguar se për të mbështetur këtë kandidaturë i ka telefonuar edhe Ervin Salianji, me të cilin pati përplasje në mbledhjen e kryesisë së PD.

“Sot në mbledhje kanë thënë pesë deputetë që i ka telefonuar dhe e pranoi dhe vetë Saliani. Madje ka gojëdhëna që vetë Grida është negociatore te Rama për Endri Shabanin. Gojëdhëna... Gojëdhëna... Ka gojëdhëna. Tani kjo është histori që nuk intereson fare. Ju sqaroj ju sqaroj kaq: Flamur Noka, në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Demokratike dhe të deputetit ka debatuar me çdo firmëtar, ka qenë kundër dhe është kundër. Flamur Noka, ka një vullnet të shprehur tek Adriana Kalaja, Besim Ndregjoni dhe anëtarët e tjerë”, tha Noka, përcjell A2 CNN.

Duke folur te protesta e thërritur kundër qeverisë për në 22 dhjetor, Noka tha se me vendimin e Gjykatës Kushtetuese për të pezulluar pezullimin e Belinda Ballukut nga GJKKO, reforma në drejtësi ka dështuar.

“Reforma në drejtësi ka vdekur. Sot në Shqipëri drejtësia është Edi Rama. Pa zgjedhje të lira, asgjë tjetër nuk ka kuptim, as demokracia dhe as pluralizmi”, deklaroi Noka, duke e cilësuar Shqipërinë si të vetmin vend në Europë që zhvillon “farsa zgjedhore” dhe jo zgjedhje të lira. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos