Qetësia e shfaqur në mbledhjen e Kryesisë me dyer të hapura duket se ishte thjesht një makiazh.
Sapo Sali Berisha mbaroi fjalën dhe dyert e sallës u mbyllën, nisi debati me tone të larta. Ervin Salianji dhe Flamur Noka u dëgjuan të debatonin me tone të ashpra, aq sa zërat e tyre dëgjoheshin në korridoret e selisë.
Burime për A2CNN bëjnë me dije se ish-deputeti i ka kërkuar Nokës dorëheqjen, duke e bërë përgjegjës për firmat e dhëna nga deputetët për Endri Shabanin, që tashmë është zgjedhur Avokat Populli.
Përgjigjja e Sekretarit të Përgjithshëm ka qenë e menjëhershme, duke e akuzar Salianjin se po i shërben Ramës me lëvizjen e tij, si dhe e ka shnëdrruar për vetëm një karrige.
Në debate janë përfshirë edhe anëtarët e tjerë të Kryesisë, ku qendra e vëmendjes ishte Salianji.
Tonet e larta në mbledhjen me dyer të mbyllura, ishin më të zbutura para mediave, duke shmangur edhe përmendjen e emrit të njëri-tjetrit. Noka konfirmoi për mediat se Suel Çela ka tentuar që të intimidojë demokratët që të mos shkojnë te foltorja e Berishës, por të shkojnë te takimi i Salianjit.
Pavarësisht akuzave, si Salianji dhe Noka kërkuan mbështetjen e qytetarëve për protestën e 22 Dhjetorit. (A2 Televizion)