“Veliaj ende pa operacion në këmbë”, Ndreca: Mjekët konfirmojnë nevojën për ndërhyrje kirurgjikale

Nga A2 CNN
18 Nëntor 2026, 16:22 | Politikë

“Veliaj ende pa operacion në këmbë”, Ndreca:

Avokati i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, Plarent Ndreca, ka ngritur shqetësimin për vonesën e ndërhyrjes kirurgjikale në këmbën e klientit të tij.

Sipas Ndrecës, rreth dy javë më parë, një mjek turk kishte rekomanduar kryerjen e një operacioni, por ndërhyrja nuk është realizuar ende.

Avokati ka bërë me dije se vetëm sot Spitali Memorial ka vënë në dispozicion grafitë dhe rezonancën magnetike të këmbës së Veliajt, pas kërkesave të përsëritura të mbrojtjes për dokumentacionin mjekësor.

Ndërkohë, një grup mjekësh nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve dhe Spitali Memorial kanë ekzaminuar Veliajn, duke arritur, sipas mbrojtjes, në të njëjtin përfundim me mjekun turk për nevojën e ndërhyrjes kirurgjikale.

Reagimi i avokatëve:

Pas dy javësh kërkesash të vazhdueshme për të siguruar dokumentacionin mjekësor të Erion Veliajt, vetëm sot Spitali Memorial ka vënë zyrtarisht në dispozicion grafinë dhe rezonancën magnetike të këmbës së tij.

Po sot, një grup mjekësh nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve dhe Spitali Memorial kanë ekzaminuar Veliajn, duke arritur në të njëjtin përfundim me mjekun turk, i cili rreth dy javë më parë kishte rekomanduar ndërhyrje kirurgjikale.

Pra, u deshën dy javë për të konfirmuar atë që ishte konstatuar që në fillim: Veliaj kishte nevojë për operacion!

Gjatë këtyre dy javëve, ndërhyrja kirurgjikale nuk është kryer dhe, përveç qetësuesve të dhimbjes, Veliaj nuk ka marrë trajtim tjetër për këmbën. Ndërkohë, mbrojtjes i është mohuar në praktikë aksesi në dokumentacionin e plotë mjekësor, pavarësisht kërkesave të përsëritura.

Dy javë të humbura për një këmbë që kishte nevojë për ndërhyrje kirurgjikale!

Kush mban përgjegjësi për këtë vonesë? A ka sjellë ajo përkeqësim të gjendjes së këmbës dhe kush do të përgjigjet për pasojat e mundshme?

Privimi nga liria nuk mund të nënkuptojë privim nga kujdesi shëndetësor në kohën e duhur.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos