Diaspora e Beratit dhe Dibrës do të jenë të parët që do të kenë mundësi të shprehin preferencën e tyre politike për zgjedhjet e 11 majit, shkruan A2 CNN. Këtë të hënë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur dërgimin e fletëve të votimit për këto dy qarqe, ndërsa puna vijon me fletët e qarkut Durrës. Protokolli parashikon se për diasporën e kontinenteve evropiane, fleta e votimit do të mbërrijë brenda 48 orëve dhe të mërkurën në mëngjes, rreth 25 mijë votuesit e Dibrës dhe Beratit do të mund të bëjnë zgjedhjen e tyre.
Në rast se orari i postierit nuk do të korrespondojë me atë të votuesit, do të bëhen edhe dy tentativa të tjera. Por çfarë ndodh nëse edhe këto tentativa dështojnë? Posta do të lërë një shënim, ku do të informojë votuesin nga jashtë se fleta e votimit e pret pranë zyrës postare dhe, nëse deri më 5 maj ajo nuk tërhiqet, kompania postare e kthen mbrapsht në Shqipëri.
Por ndaj këtij procesi kanë filluar të shfaqen ankesat e para. Dy përfaqësuesit e Partisë Demokratike në KQZ, Franci Nuri dhe Marash Logu, iu drejtuan zyrtarisht Ilirjan Celibashit me pretendimin se procesi po shfaq anomali dhe po krijon dyshimin për votim të dyfishtë.
Nga ana e vëzhguesve tanë jemi informuar se gjatë procesit të përgatitjes së dokumentacionit zgjedhor për votuesit nga jashtë ka pasur një problematikë që lidhet me printimin dy herë të adresës, që në terma praktikë nënkupton që një zgjedhësi mund t’i shkojnë dy zarfe, dy fletë votimi, duke rrezikuar kështu që të kemi më shumë vota se numër zgjedhësish. Sipas vëzhguesve tanë janë identifikuar 14 raste, por mund të ketë edhe të tjerë.
Partia Demokratike
Në parashikimin fillestar, KQZ mendonte se procesi i dërgimit të zarfeve do të përfundonte brenda datës 17, por gjasat janë që të merren edhe disa ditë ekstra deri më 20 prill. (A2 Televizion)