“Votimi elektronik në Tiranë kushton 18.2 mln euro”, Celibashi fton PD të verifikojnë pajisjet

Nga A2 CNN
21 Nëntor 2024, 13:25 | Politikë

“Votimi elektronik në Tiranë kushton 18.2 mln euro”,

Kur na ndajnë edhe pak muaj nga mbajtja e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2025, mbetet ende e paqartë se në cilat qarqe do të aplikohet votimi dhe numërimi elektronik.

Teksa pjesa më e madhe e forcave politike kanë kërkuar që votimi elektronik të realizohet edhe në qarkun e Tiranës, KQZ ka propozuar Durrësin dhe Elbasanin si dy alternativat më të mundshme.

Për këtë çështje, kreu i KQZ-së Ilirjan Celibashi ka folur në konferencën e sotme për mediat, duke thënë se do të vlerësohen të gjitha mundësitë, por vetëm për Tiranën kostoja do të shkonte sipas tij në 18.2 milionë euro.

“Në komunikimin e fundit propozuam qarkun e Elbasanit dhe Durrësit për votimin elektronik duke konsideruar që Elbasani ka një eksperiencë dhe Durrësi është mjaft afër me Tiranën dhe i krijon KQZ mundësi më të mirë për ta administruar. Kemi marrë përgjigje nga partitë, të gjithë pa përjashtim rekomandojnë të shtohet Tirana. Dikush ka sugjeruar vetëm Tiranën, nuk është vetëm PS. Thuajse të gjitha, përjashto PD që nuk konsideron asnjë njësi zgjedhore për zhvillimin e votimit elektronik. Është e pamundur të bëhen tre qarqe. Kemi arsyetuar që ose do të zgjedhim dy qarqe me madhësinë e Tiranës, ose do duhet të zgjedhim vetëm Tiranën. I kemi bërë me dije Kuvendit dhe kemi kërkuar buxhet potencialisht nëse do ecim me votimin elektronik vetëm për qarkun e Tiranës, që potencialisht përfshin edhe dy qarqet e tjera nëse do shtrojmë atje, dhe shkon një vlerë rreth 18.2 milionë euro”, tha Celibashi.

Sa ju përket komenteve të bëra nga Partia Demokratike në lidhje me votimin elektronik, Celibashi deklaroi se shqetësimet e tyre janë trajtuar me seriozitet nga ana e KQZ.

Ai nënvizoi se një prej pretendimeve që ka ngritur PD ekziston dhe i ftoi të djathtët që të shkojnë dhe verifikojnë pajisjet, por i mëshoi faktit se pajisjet e votimit elektronik janë 100% të sigurta dhe ofrojnë të gjitha garancitë për fshehtësinë e votës.

“Qëndron një prej atyre pretendimeve, që ka të bëjë me sjelljen e disa operatorëve në qendrat e votimit. Jemi në proces hetimi administrativ,  e finalizojmë javës tjetër, për çfarë ka ndodhur me këtë kategori operatorësh. Pajisjet e votimit dhe numërimit elektronik qëndrojnë aty të pahapura, në pritje të dikujt për të ardhur të bëjë çdo verifikim. E kemi bërë me dije, kush të dojë të vijë të bëjë verifikime në lidhje me pajisjet”, u shpreh Celibashi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos