Vrasja e 14-vjeçarit, Rama nuk sheh problem rendin, por rrjetet sociale

Nga Fjorela Beleshi
20 Nëntor 2024, 18:05 | Politikë

Tre ditë nga humbja e jetës së 14-vjeçarit pranë shkollës Fan Noli ka ardhur edhe reagimi i parë i kryeministrit Edi Rama. Duke e cilësuar një tragjedi këtë ngjarje, shefi i qeverisë nuk foli aspër arsimin, as për situatën e rendit. Si fajtorë evidentoi rrjetet sociale.

“Posaçërisht TikTok-u apo Snapchat-i thithin për ditë në labirintet e tyre fëmijët tanë qysh në moshat më të vogla”, tha kryeministri.

Kryeministri nuk ka një vendim, por vetëm propozim, të cilin dëshiron ta hedhë për konsultim publik me bordet e prindërve, shkruan A2.

“Kemi vendosur që këtë dilemë ta hedhim për një diskutim të gjerë me të gjithë komunitetet e prindërve ku do të angazhohen të gjitha shkollat, nën drejtimin e Ministrisë së Arsimit për të marrë një vendim sa më demokratik për një problem kaq të madh, por e përsëris, kompleks. Pres me padurim rezultatet e këshillimit të gjerë me komunitetet e prindërve, lidhur me qasjen që duhet të zgjidhim së bashku ndaj Tik-Tok-ut, SnapChat-it apo të dyve bashkë”, u shpreh Rama.

Një tjetër burim të dhunës në shoqëri Edi Rama e sheh tek media dhe Parlamenti. “Dhe ekranet e televizorëve ku shumica dërrmuese e atyre që derdhin lot krokodili për Shqipërinë dhe për popullin janë në fakt lëvrues të papërgjegjshëm të gjuhës së dhunës dhe herë pas here dhe nxitës të hapur të dhunës  duke përfshirë dhe vet sallën e Parlamentit të Shqipërisë që është një shkollë e hapur dhune dhe nxitjeje e gjuhës së dhunës”, tha Rama.

Përdorimi i celularëve në shkolla tha se do të penalizohet, ndërsa një tjetër zgjidhje që po mendon qeveria për sigurinë publike, sidomos në këto institucione lidhet me survejimin me kamera.

“Me futjen e syve të teknologjisë në mbikëqyrjen e perimetrit të çdo shkollë dhe madje të çdo klase ku praktikisht prindërit do mund të shohin gjithçka ndodh me fëmijët e tyre dhe me procesin e mësimdhënies sa herë do duan të verifikojnë ecurinë apo problematikat e lidhura me fëmijët e tyre”, tha Edi Rama.

Ditën e enjte në orën 11:00 është njoftuar nga shoqëria civile protestë para Shkollës Fan Noli për të marshuar më pas drejt Ministrisë së Arsimit.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos