
Sali Berisha ka reaguar sërish sot pas miratimit me votat e mazhorancës të reformës territoriale. Në një deklaratë për mediat nga selia blu ai akuzoi deputetët e mazhorancës se kanë votuar votuan për asgjësimin e 15 bashkive dhe kundër interesit të zgjedhësve.
“Mbrëmë pas mesnate, në një akt flagrant antikombëtar, antiqytetar, krimi, pengmarrja dhe ryshfeti, mandatet e krimit u hodhën si shigjeta kundër qytetarëve të 15 bashkive të vendit, për asgjësimin e tyre. Deputetët e partisë së krimit në unison, shkelmuan interesat e zgjedhësve të tyre. Të marrë peng me korrupsionin e tyre, me vjedhjet dhe plaçkën që kanë siguruar me mandatin e tyre, ata votuan në një krim kolektiv për asgjësimin e 15 bashkive”, deklaroi Berisha.
Sipas tij, reforma territoriale dhe qeverisja vendore kanë një rol kyç në zhvillimin e zonave dhe në përmbushjen e nevojave të qytetarëve.
“Reforma territoriale është pa dyshim, në raport me qytetarin dhe komunitetet, reforma më e rëndësishme sepse kjo reformë ka të bëjë me vetë qeverisjen e komuniteteve. Ka të bëjë me qeveritë vendore të tyre, të cilat kanë misionin zhvillimin e territorit të komunitetit. Kanë mision konservimin e trashëgimisë kulturore historike të komunitetit. Kanë mision mbrojtjen, zhvillimin e identiteteve të komuniteteve. Theksoj dhe njëherë, për Shqipërinë, një vend me nevojë jetike për zhvillim, njësitë e qeverisjes vendore janë investitorë kryesorë në zonat e komuniteteve”, deklaroi ai.
(A2 Televizion)